LAJMI I FUNDIT:

Ish-udhëheqësi i LPK-së: LDK ka “gjynahet” e veta, por nuk kemi pasur qëllim eliminimin e anëtarëve të saj

LDK Logo- Bedri islami

Bedri Islami, ish-udhëheqës i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), ka thënë se aktakuza e ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka një synim të detajuar që të përshkruhet një pjesë e historisë së Kosovë, “pikërisht ajo për të cilën mendoj që mund të rendojë trupën ushtruese të UÇK-së”.

Ndërsa për pjesën e aktakuzës që thuhet se “një pjesë e LPK-së ka pasur si qëllim zhdukjen e kundërshtarëve politikë”, përkatësisht duke përmendur anëtarët ose mbështetësit e LDK-së, ai ka thënë se “nuk është e vërtetë”.


“Në asnjë mënyrë nuk është e saktë, në asnjë dokument të Lëvizjes Popullore të Kosovës apo të Shtabit të Përgjithshëm [të UÇK-së] nuk është thënë që kundërshtarët tanë politikë janë bashkëpunëtorë të Serbisë”, ka thënë Islami.

Ai ka shtuar se LDK-ja siç ka pasur përparësitë e veta, ashtu ka pasur dhe gjynahet.

“Gjynahet e saj kanë qenë disa deklarata të saj pas atentatit ndaj rektorit të Universitetit të Prishtinës, i cili ishte njëri nga zëdhënësit më të fuqishëm të regjimit të Millosheviqit, ku Lidhja Demokratike e Kosovës përmes drejtuesve të saj kërkoi Interpolin”, ka shtuar tutje Islami në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Ish-udhëheqësi i LPK-së ka theksuar se nuk është ftuar nga Gjykata Speciale për të dhënë dëshmitë e tij, teksa shtoi se është i gatshëm të shkojë nëse ftohet.