LAJMI I FUNDIT:

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s nën hetime për një skandal bankar në Letoni

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s nën hetime për një skandal bankar në Letoni

Policia po heton ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen për rolin në falimentimin e Bankës Letoneze PNB.

Sipas autoriteteve letoneze, Rasmussen, i cili ishte nënkryetar i grupit të pavarur të menaxhimit të PNB, dhe ish-menaxherë të tjerë janë nën hetim për menaxhimin e tyre të mëparshëm të bankës.


Raportohet se grupi i akuzuar ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, duke pranuar marrëveshje të mëdha pa kolateral, që kanë rezultuar në rreth 140 milionë euro “boshllëk” në asetet e bankës.

Autoritetet nuk e komentuan rastin më në detaje, pasi hetimet janë ende në vazhdim, raporton politico.

Rasti u riaktualizua kohët e fundit në Danimarkë kur avokati danez i bankës u përpoq pa sukses ta dërgonte atë përpara Gjykatës së Lartë të vendit.

Rasmussen ishte kryeministër i Danimarkës nga viti 2001 deri në vitin 2009, përpara se të drejtonte organizatën ushtarake transatlantike.

Ai themeloi kompaninë konsulente Rasmussen Global dhe bashkëkryeson Grupin për Garancitë Ndërkombëtare të Sigurisë për Ukrainën, së bashku me Andriy Yermak, këshilltarin kryesor të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Një zëdhënës i Rasmussen nuk pranoi të komentojë mbi rastin. /Telegrafi/