LAJMI I FUNDIT:

Ish-kryeprokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla dënohet me 2 vite burg

Ish-kryeprokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla dënohet me 2 vite burg

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla duke e dënuar përfundimisht me 2 vite burg.

Gjithashtu Llalla për 5 vjet përjashtohet nga funksionet publike, pasi e gjeti fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.


Gjykata vendosi dhe konfiskimin e disa pronave të tij, të vëna paraprakisht nën sekuestrim, konkretisht: 4 sipërfaqe toke, në 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

Llalla nuk ishte i pranishëm në seancë dhe avokati i tij tha se klienti i tij është i shtruar në një spital publik në Shqipëri.

Avokati pretendoi gjithashtu se vendimi i Apelit ishte i paracaktuar dhe nuk është vërtetuar asnjë akuzë që është ngritur nga prokuroria.

Me t’u zbardhur vendimi pritet të ekzekutohet. Ky është rasti i parë që ish-prokuror i përgjithshëm në Shqipëri dënohet me dy vite burg për një akuzë të tillë.

Hetimi ndaj ish-kryeprokurorit u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 me akuzat e “fshehjes së pasurisë”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “pastrimit të parave”, por më pas ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të pasurisë”. /Ora News/