Ischinger: Nuk mund të imagjinohet kthimi i Kosovës nën Serbi

“Duhet pas parasysh se Kosova, në tetë vitet e fundit, në të gjitha aspektet praktike, nuk është pjesë e Serbisë. Me Kosovën po qeverisin Kombet e Bashkuara. Për kosovarët është e vështirë ta paramendojnë që tash, pas kësaj, si dhe pas krimeve të cilat janë bërë gjatë viteve 1998 dhe ’99, sërish të integrohen me Serbinë, të them kështu. Nuk mund ta imagjinojnë që, pas tetë vitesh, sërish të gjenden nën kulmin serb. Kjo është pjesë e historisë”, ka thënë Ischinger, për BBC-në.
Ischinger thotë se, edhe në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk pret që të shpërthejë ndonjë dhunë pasi që të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi, kanë premtuar se do ta ruajnë qetësinë, por se edhe NATO-ja është e gatshme për të ruajtur stabilitetin në Kosovë.
“Kjo mund të sillte probleme (shpallja e pavarësisë) por të dyja palët kanë premtuar që të mos shkaktojnë kurrfarë dhune, në asnjë rast. Të mos harrojmë se në Kosovë gjenden 15 mijë ushtarë nën komandon e NATO-së. Pra, ne jemi të gatshëm, në rast të destabilitetit në regjion. Vetëm shpresoj se nuk do të na duhet që edhe më tej ta dramatizojmë situatën në periudhën para nesh e cila, në çdo rast, do të jetë problematike për tërë rajonin”, ka thënë Ischinger.





















































