VV dhe PDK formalizojnë bashkëqeverisjen në Podujevë, Shabani zgjidhet kryesues i Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje politike për drejtimin e institucioneve komunale në Podujevë, duke vendosur bazat e bashkëpunimit në Kuvendin Komunal.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, përfaqësuesi i PDK-së, Isak Shabani, është zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal në seancën e mbajtur të hënën. Shabani mori 21 vota pro dhe një abstenim, ndërsa përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në procesin e votimit.
Pas zgjedhjes, Shabani theksoi se funksionin e ri e sheh si përgjegjësi publike dhe u zotua për një qasje të hapur në udhëheqjen e punës së Kuvendit Komunal. Ai tha se do të angazhohet që vendimmarrja të zhvillohet në mënyrë transparente, në përputhje me ligjin dhe në shërbim të interesit qytetar.
Në të njëjtën seancë, asamblistët votuan edhe për përbërjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, i cili do të përbëhet nga nëntë anëtarë.
Ndërkohë, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka siguruar mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Podujevës. Bulliqi ka përshëndetur zgjedhjen e Shabanit në krye të Kuvendit Komunal, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim institucional.
“Zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal me shumicë votash është hap i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve. I uroj sukses z. Shabani dhe shpreh bindjen se përmes bashkëpunimit do të arrijmë rezultate konkrete në dobi të qytetarëve të Podujevës”, ka shkruar Bulliqi. /Telegrafi/






































