LAJMI I FUNDIT:

Murati: Tri ligjet e dërguara nga opozita në Kushtetuese po mbahen të bllokuara “në emër të interesit publik”

Murati: Tri ligjet e dërguara nga opozita në Kushtetuese po mbahen të bllokuara “në emër të interesit publik”

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka hedhur kritika ndaj Gjykatës Kushtetuese, për zvarritje të procesit për ligjet që po mbahen “të bllokuara”.

Në një shkrim në profilin zyrtar në Facebook, Murati thotë se ligjet në fjalë po pengohen në emër të interesit publik.


Ai ka renditur tre ligjet të cilat janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK.

Një ndër to është edhe ligji për pagën minimale.

“Ligjet që po mbahen të bllokuara nga Gjykata Kushtetuese në emër të “interesit publik”: Ligji për çmimet tavan (dërguar nga LDK), Ligji për pagën minimale (dërguar nga AAK), Ligji për faljen e tatimit në pronë (dërguar nga PDK).

Në mars të këtij viti, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se është i shqetësuar me dërgimin e ligjeve nga opozita në Gjykatën Kushtetuese.

Ai tha se në këtë gjykatë, po pret të trajtohet Ligji për çmimet tavan të produkteve bazë.

Kjo, sipas tij, po ndikon në ngritjen e çmimeve të këtyre produkteve.

“Mua më vjen shumë keq që Ligji për masat e përkohshme, për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë, është në Gjykatën Kushtetuese. LDK-ja e ka dërguar në Gjykatë këtë ligj. Dhe nëse ka diçka që aktualisht si kryeministër jam më i brengosuri në qeverisjen që e kemi, janë këto tri ligjet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese që po zvarriten dhe për të cilët jam shumë i shqetësuar për vendimet që do të vijnë duke pasur parasysh këtë për KPK-në”, kishte deklaruar Kurti.