LAJMI I FUNDIT:

IRA dhe kerri i Petritit!

IRA dhe kerri i Petritit!

Në fund të gushtit të vitit 1994, IRA shpalli armëpushim në luftën e saj të armatosur që kishte për qëllim përzënien e pushtetit britanik nga Irlanda Veriore. Armëpushimi u shpall pas 25 viteve të një fushate të ashpër të sulmeve me bomba, që kishte rezultuar me më shumë se 3000 njerëz të vdekur. Qeveria britanike e mirëpriti këtë akt dhe si reagim të parë e hoqi embargon për informim që ua kishte vënë anëtarëve të Sinn Fein-it, krahut politik të IRA-s (deri në këtë kohë televizionet dhe radiot britanike e kishin të ndaluar të emitonin zërin e aktivistëve të Sinn Fein-it).

Armëpushimi ishte arsyeja për të shkruar për këtë temë dhe unë vendosa ta intervistoja Jerry Adams-in ose Martin Mcguinness-in. Nga zyra e Sinn Fein-it, në telefon më thanë se këtë mund ta bëja kur të doja, por nuk dëshironin të më caktonin datë dhe kohë. E pyeta Petritin, një fotograf profesionist, nëse dëshironte të më shoqëronte për këtë punë. Ai u pajtua dhe me vete morëm edhe dy shokë tjerë, Maliqin dhe Tushin. Nga Londra udhëtuam me kerrin e Petritit, që ishte një Ford Granada ngjyrë qershie.


Kur mbërrimë në Belfast, shkova në Falls Road ku ishte selia e Sinn Fein-it në një ndërtesë çuditërisht të vjetër dhe të pa mirëmbajtur. Kur ju tregova pse kisha ardhur, dy gra më morën në pyetje duke shprehur shumë dyshime në stilin e policeve të ashpra. Përshtypja ime ishte se ato nuk kishin ide as çka është e as ku gjendet Kosova. Dikur e morën vesh pse isha aty, por më thanë që nuk kisha mundësi ta shihja Gerry Adams-in, pasi që ai kishte shkuar diku jashtë shtetit, e as Martin Mcguinness-in i cili gjendej i zënë me një aktivitet që zhvillohej në Derry, siç e quajnë katolikët republikanë Londonderry-in. Ju thashë që do të prisja deri nesër ose pasnesër nëse ktheheshin.

Selia e dikurshme e Sinn Fein-it në Belfast
Selia e dikurshme e Sinn Fein-it në Belfast

Ndërkohë, ne e shfrytëzuam momentin për të vizituar Belfastin. U habita pse më parë nuk kisha dëgjuar që qyteti është i ndarë me një mur të madh që ndante katolikët me protestantët. Jo vetëm muri, por e tërë jeta ishte e ndarë në dy pjesë paralele. Afër murit qëndronin dy grupe të taksistëve: njëri për në pjesën katolike e tjetri për atë protestante. D.m.th. nuk përziheshin as taksistët e as udhëtarët. Gjithçka ishte e ndarë , përfshirë edhe pabat dhe dyqanet. Në fakt ndarja në atë kohë në mes katolikëve dhe protestantëve ishte më e madhe se ajo në mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. E pamë hotelin Europa, i cili pa dyshim e mbante epitetin e hotelit më të bombarduar në botë, pasi që ishte sulmuar së paku 36 herë me bomba të ndryshme.

Pasi që shkonim disa herë në ditë te zyrat e Sin Feinn-it, ne kishim përshtypjen që dikush na përcillte. Mendonim që kerri dikujt i kishte rënë në sy.

Në ditën e dytë, në Sinn Fein më thanë se unë mund ta intervistoja Tom Hartley-in, i cili ishte njeriu i tretë në hierarkinë e Sinn Fein-it. Ai ishte sekretari i përgjithshëm i krahut politik të IRA-s dhe përgjegjës për shtyp. Pas disa viteve Hartley u zgjodh edhe kryetar i qytetit të Belfastit. Kjo ishte diçka nën nivelin e qëllimit tim, por megjithatë ishte më mirë se të kthehesha me duar të zbrazëta. Intervista u botua dhe unë isha i kënaqur që me siguri isha i pari që në mediat shqipe po shkruaja nga vendi i ngjarjes dhe po e përçoja idenë e IRA-së dhe gjasat për arritjen e paqes në Irlandën Veriore. Për mua kjo ishte një lloj historie.

dauti
Viti 1994:Daut Dauti dhe Tom Hartley, që më vonë do të jetë kryetar i Belfastit

Në fakt, histori shënoi kerri i Petritit. Pas dy viteve, në prill të 1996, Petriti vendosi ta shiste kerrin dhe e nxori lajmërimin në ‘Loot’, në gazetën e atëhershme që shërbente për shitblerje, dhe e caktoi çmimin 1200 funta. Menjëherë ishte lajmëruar një i interesuar. Kishte ardhur me një qese me 1000 funta, të gjitha nga 20 bankënota, dhe ia kishte lëshuar Petritit në dorë. ‘Kaq mund të ofroj dhe nëse je i interesuar, merri paret dhe ma jep kerrin’, i thotë ky njeriu i cili anglishten e fliste me theks të rëndë të një irlandezi. Petriti, duke e parë që kerri po vjetrohej, e pranon ofertën, por për çudi irlandezi nuk e nënshkruan kontratën e shitblerjes duke u arsyetuar se është analfabet.

Pas tri javësh, derisa në Angli po zhvillohej kampionati evropian i futbollit, me 15 qershor në Manchester eksplodoi një bombë e vendosur në kamion me 1500 kilogramë eksploziv. Bomba qe vendosur nga ‘Provisional IRA’ që ishte një krah i IRA, i cili nuk pajtohej me armëpushimin e as me marrëveshjen për paqe që kishte filluar të iniciohej.

Ky ka qenë sulmi terrorist më i madhi që IRA ka bërë ndonjë herë në truallin britanik. Një bombë e madhësisë së tillë nuk ka eksploduar në Britani të Madhe që nga sulmet e Gjermanisë fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bomba e lajmëruar eksplodoi, pasi që ekipi i specialistëve britanik nuk pati mundësi ta neutralizonte.

Pas disa ditësh, në derën e banesës së Petritit trokasin dy agjentë të shërbimit sekret britanik. ‘Ku e ki kerrin?’, ka qenë pyetja e parë për Petritin. Pas shumë pyetjeve tjera Petriti insiston që agjentët të tregojnë se ku qëndronte shkaku i ‘vizitës’ dhe kësaj ‘interviste’. Pas disa pyetjeve tjera, agjentët i tregojnë Petritit se kerri i tij, Ford Granada, ngjyrë qershie, është përdorur në bombardimin e Manchesterit.

granada
Kerri i Petritit, Ford Granada ngjyrë qershie

Kerri, i cili kishte një lloj ‘eksperience’ irlandeze, ishte përdorur si përcjellje e kamionit bombë dhe po ashtu edhe për evakuimin e ‘shoferëve’ të cilët e kishin ‘parkuar’ kamionin para qendrës tregtare. Terroristët kishin ikur me kerrin e Petritit, të cilin pastaj e kishin braktisur në Preston, një qytet afër Manchesterit. Agjentët pyesin nëse Petriti i kishte ende paratë apo qesen e najlonit nga ku mund të merreshin shenjat e gishtave. Kishte kaluar gati një muaj nga ngjarja dhe qesja ishte hedhur kurse paratë ishin dërguar në bankë.

Asnjë shenjë nuk kishte mbetur, pos kerrit të cilit, para braktisjes, i ishin fshirë të gjitha prekjet me duar.

Deri sot, pas 20 viteve, askush nuk ka asnjë informatë tjetër për këtë bombardim që shkaktoi aq shumë dëme: llogariten 200 veta të plagosur, kurse dëmi material ishte mbi 700 milionë funte.

Ka mbijetuar vetëm kerri i Petritit i cili ende mund të jetë diku në Polici për të shërbyer një ditë në gjyq si provë materiale kundër kryesve të këtij krimi. /Telegrafi/