Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes Departamentit të Hetimeve, ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të dyshuar për përfshirje në raste të kanosjes, në dy incidente të ndara.

Sipas njoftimit, lidhur me rastin e parë IPK ka pranuar informacione dhe ka nisur hetimet ndaj një zyrtari të trafikut rrugor në Prishtinë.


“IPK kishte pranuar informacione dhe është duke zhvilluar hetim ndaj një zyrtari policor (me detyrë në njësinë e trafikut rrugor në Prishtinë) me dyshimin se i njëjti jashtë detyrës zyrtare është i përfshirë në një rast të kanosjes”, thuhet në njoftim.

Rasti i dytë është raportuar në Fushë Kosovë, ku hetuesit e IPK-së po merren me dyshimet ndaj një zyrtari tjetër policor.

“Hetuesit e IPK-së janë duke zhvilluar hetim ndaj një zyrtari policor (me detyrë në Stacionin Policor në Fushë Kosovë) me dyshimin se i njëjti jashtë detyrës zyrtare është i përfshirë në një rast të kanosjes”, thekson IPK.

Institucioni ka bërë të ditur se, për interes të hetimit, ka rekomanduar suspendimin e të dy zyrtarëve.

“IPK i ka rekomanduar Policisë suspendimin për zyrtarët në fjalë kurse rastet do të trajtohen në procedurë të rregullt në koordinim me Prokurorinë e Shtetit me dyshimin për veprën penale ‘Kanosje’”, thuhet më tej. /Telegrafi/