LAJMI I FUNDIT:

IPK i reagon Sindikatës së Policisë: Kemi prova për arrestimin e zyrtarëve policorë, i kemi dorëzuar në Prokurorinë Speciale

IPK i reagon Sindikatës së Policisë: Kemi prova për arrestimin e zyrtarëve policorë, i kemi dorëzuar në Prokurorinë Speciale

Inspektorati Policor i Kosovës ka reaguar ndaj Sindikatës së Policisë së Kosovës, e cila e ka akuzuar se arrestimet e zyrtarëve policorë po bëhen pa siguruar prova.

Në komunikatën për media, IPK-ja ka deklaruar se Operacioni Pika 1 dhe Pika 2 është një ndër më të suksesshmet të realizuara në luftimin e korrupsionit.


“Të gjitha veprimet në kuadër të këtij hetimi janë ndërmarrë sipas udhëzimeve dhe në koordinim  të plotë të Prokurorisë së Shtetit, duke përfshirë edhe arrestimet e secilit prej tyre”, thuhet në njoftim.

Sindikata e Policisë: Pretendimet e IPK-së janë të pabazuara, zyrtarët policorë janë akuzuar për vepra kriminale, pa siguruar prova
Lexo po ashtu Sindikata e Policisë: Pretendimet e IPK-së janë të pabazuara, zyrtarët policorë janë akuzuar për vepra kriminale, pa siguruar prova

Tutje, IPK-ja ka thënë se për këtë rast ka prova dhe të njëjtat janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale.

“Sidoqoftë provat nuk mund t’ua prezantojmë Sindikatës së Policisë. Shumica e veprimeve inkriminuese të zyrtarëve policorë të dyshuar në këtë rast janë të dëshmuara më zë dhe figurë. Është kompetencë e prokurorit të vlerësoj dhe vendos më tutje vazhdimin e procedurave penale për secilin prej të dyshuarve në këtë rast”.

“IPK siç parashihet edhe me Kodin e Procedurës Penale u ka dhënë mundësinë dhe të gjithë të dyshuarit në këtë rast janë mbrojtur dhe mbrohen nga avokatet e tyre sipas procedurës”, thuhet tutje.

Inspektorati Policor tutje ka deklaruar se ka qenë edhe është e shqetësuar për nivelin e korrupsionit në Polici dhe ka bërë të ditur se do të shtojnë intensitetin e luftës ndaj këtij fenomeni.

“Besojmë fuqishëm që edhe Policia e Kosovës e ka këtë synim dhe e mbështet IPK-në siç e ka bërë deri tani në këtë mision të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.  Duke i falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunim, IPK beson se fuqizimi i integritetit policor është mision i përbashkët dhe duhet të përkrahet nga të gjithë”, përfundon komunikata. /Telegrafi/