Për investitorët e huaj në Maqedoni klima e investimeve është përmirësuar. Sipas anketës së realizuar nga Këshilli i Investitorëve të Huaj, ata janë 13 pikë përqindjeje më të kënaqur në vitin 2025 krahasuar me vitin paraprak. Në vlerësimin total të kënaqësisë, 55% e investitorëve të huaj do të donin të reinvestonin në vend, krahasuar me 42% që ishin shprehur kështu në vitin 2024.

Por, kreu i Këshillit, Viktor Mizo, duke folur për kënaqësinë, gjithsesi përmendi se investitorët kanë edhe disa vërejtje për funksionimin e institucioneve. Problemi është në dhënien e ndihmës shtetërore, ku sipas investitorëve duhet të ketë një qasje më të unifikuar për përcaktimin e kostove të investimeve dhe kritereve për mbështetje, pavarësisht se përmes cilës institucioni jepet ndihma.


Ata janë veçanërisht të shqetësuar për paralajmërimet për bllokime të reja në pikat kufitare nga transportuesit në rajon.

“Kjo na prek drejtpërdrejt, sepse nuk është vetëm procesi i asaj se si do të eksportojmë, por edhe si do të importojmë ato lëndë të para, pasi gjithçka kalon nëpër rrugë tokësore me kamionë. Shpenzimet që patëm në ato pesë ditë në fund të janarit duke përdorur transportin ajror, për të përmbushur nevojat e klientëve tanë, ishin nga qindra mijëra deri në miliona euro për disa kompani dhe duhet marrë parasysh që vetëm ne, Serbia dhe Bosnja, të paktën në industrinë automobilistike, këtu punojnë rreth 110 mijë njerëz”, tha Viktor Mizo – kryetar i Këshillit të Investitorëve të hauj.

Ky problem me transportuesit ka lindur për shkak të zbatimit strikt të sistemit të regjistrimit të hyrjes dhe daljes në Bashkimin Evropian, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, dhe tashmë po shqyrtohet për të gjetur një zgjidhje. Qeveria, tha ai, po bën bisedime me disa vende të BE-së që janë pjesë e zonës Shengen.
“Ne tashmë kemi bisedime dypalëshe me disa shtete të Bashkimit Evropian, por gjithashtu anëtare të zonës Shengen, kështu që përgjigjja për këtë problem do të jetë me shumë mundësi përmes lëshimit të vizave vjetore me hyrje dhe dalje të shumëfishta nga zona Shengen”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Kjo do të thotë që një vizë e lëshuar në një vend do të vlejë për gjithë zonën Shengen.
Sa i përket gjendjes aktuale me krizën që lind pas sulmit amerikan-izraelit ndaj Iranit, sipas Mizos, ende është herët të vlerësohet se çfarë do të jenë pasojat për ekonominë. Ai mendon se duhet të pritet të paktën një deri në dy javë për të parë se si do të zhvillohet situata dhe çfarë ndikimi do të ketë në industrinë dhe zinxhirët e furnizimit. /tv21