Investimet kapitale në Maqedoninë e Veriut në gjashtë muajt e parë të vitit janë realizuar shumë më pak seç janë planifikuar. Në periudhën janar-qershor janë realizuar vetëm një e katërta apo 26 për qind e mjeteve të planifikuara për ndërtimin e rrugëve, shkollave, kanalizimit dhe ujësjellësit dhe projekteve të ngjashme kapitale. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se deri më fundin e muajit qershor janë realizuar 106.6 milionë euro nga 405.5 milionë euro të planifikuara. Njëherësh, me rishikimin e fundit të buxhetit, investimet kapitale për vitin 2021 janë rritur për 100 milionë euro shtesë dhe kanë arritur në mbi 500 milionë euro. Nga ana tjetër, edhe në vitin 2020 kishte realizim të ngadalshëm të investimeve kapitale. Nga muaji janar deri në muajin gusht të vitit të kaluar për investimet kapitale ishin harxhuar 126 milionë euro apo vetëm 39.5 për qind e mjeteve të planifikuara prej 318 milionë euro. Apo me fjalë të tjera në tetë muajt e parë vitit nuk ishin harxhuar as gjysma e këtyre mjeteve.

Viteve të kaluara mjetet që nuk realizoheshin nga investimet kapitale riorientoheshin për nevojat të tjera. Gjithashtu, nuk ishte vetëm pandemia shkak për realizimin e dobët të shpenzimeve kapitel që edhe më parë vështirë kanë arritur realizimin prej 80 për qind, pas shkurtimeve me rishikimet buxhetore. Vitin e kaluar, pushteti pranoi se një nga shkaqet e mos realizimit të tyre deri në fund është edhe tek planifikimi jo i mirë, apo kërkesa për më shumë para nga institucione të ndryshme nga arka e shtetit në raport me mjetet që kanë mundësi ti harxhojnë.

Përskaj pandemisë në vitin e kaluar edhe sivjet për realizimin më të dobët të tyre në fillim të vitit theksohet edhe puna e Kuvendit si dhe mbajtja e zgjedhjeve. Ekonomistët thonë se realizimi i tërësishëm i investimeve kapitale që dikton edhe dinamikën dhe lëvizjen e ekonomisë së shtetit, por edhe rritjen ekonomike, kërkon edhe një planifikim më të kujdesshëm . Vlerësohet se realizimi i investimeve kapitale që parashikohen në buxhetin e shtetit në vazhdimësi problematizohet si rrjedhojë e aftësisë së pamjaftueshme të administratës publike që të menaxhojë projekte të tilla.

“Të gjitha institucionet shtetërore nevojitet të ndërtojnë kapacitete për menaxhimin më të mirë të investimeve kapitale , për shkak se një është ti planifikosh ato, dhe krejt tjetër është ti realizosh të njëjtat. Në shtet çdo herë ka pasur probleme me realizimin e tyre për shkak të se nuk kemi aftësi të mjaftueshme për menaxhimin e këtij lloj investimi. Njëherësh nevojitet që prej përpara të parashikohen më shumë gjëra lidhur me projektet që mund të zgjasin apo shtrenjtojnë ato”, thonë ekonomistët. Për të avancuar realizimin e investimeve kapitale, në Buxhetin për vitin 2021 është parashikuar edhe mekanizmi funksional për përmirësimin e realizimin, apo për orientimin e mjeteve ndaj projekteve me realizim më të madh. Apo me fjalë të tjera, krijohet mekanizmi për “ndëshkim dhe shpërblim” të shfrytëzuesve të buxhetit përmes rishpërndarjes së mjeteve buxhetore gjatë vitit buxhetor, në nivel tremujor – nga ata me realizim të dobët tek ata me realizim më të lartë të shpenzimeve kapitale.

Për këtë qëllim, mjetet ndahen ndaj shfrytëzuesve buxhetor përgjatë një viti në nivel tremujor, nga ato me realizimit të dobët deri tek ato me realizimin më të madh të shpenzimeve kapitale. Mekanizmi i njohur si EFKAP posedon targete të sakta të realizimit prej 15, 40, 65 apo 100 për qind në tremujorin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt. Në rast se në tremujorin e ardhshëm, ato shfrytëzues buxhetor që ju janë marrë mjetet do të kenë realizim më të mirë, të njëjtat do t’ju kthehen. (koha.mk)