LAJMI I FUNDIT:

Investimet e huaja në blerje të banesave

Investimet e huaja në blerje të banesave
Foto: Ilustrim

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se nga janari e deri në fund të muajit gusht të këtij viti, investimet e huaja në Kosovë kanë arritur në 148 milionë euro, ku nga kjo shumë 104,2 milionë euro kanë përfunduar në blerje të patundshmërive

Blerja e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme të botës, po llogaritet si investimi më i madh i huaj që ka ndodhur sivjet nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit gusht.


Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se nga janari e deri në fund të muajit gusht të këtij viti shuma e investimeve të huaja në vendin tonë ka arritur në 148 milionë euro, e nga kjo shumë 104,2 milionë euro kanë përfunduar në blerje të patundshmërive, e në anën tjetër në disa sektorë siç është ai i ndërtimit kemi tërheqje të investimeve, shkruan Zëri.

Krahasuar me vitet paraprake shihet se investimet e huaja në prodhim dhe industri kanë rënë, derisa ato në patundshmëri janë duke u rritur nga viti në vit. Sipas të dhënave të BQK-së për 8 muaj në Kosovë në sektorin e bujqësisë investitorët e huaj kanë investuar 1,8 milionë euro, derisa në sektorin e minierave kemi tërheqje të investimeve për 11,1 milionë euro.

Në sektorin e industrisë për 8 muaj janë investuar 1,4 milionë euro, derisa në sektorin e energjetikës janë investuar 4,3 milionë euro. Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna të BQK-së, shihet se në sektorin e ndërtimtarisë investitorët e huaj në vendin tonë për 8 muaj investuan 26,6 milionë euro, në tregti 10,2 milionë euro, në hoteleri investimet e huaja për 8 muaj arritën në 700 mijë euro, në transport 600 mijë euro, në shërbime financiare 1,5 milionë. /Zëri/Telegrafi/