Investim prej 74 milionë euro në Spitalin e Tetovës, Kasami dhe Klekovski: Projekti më i rëndësishëm për qytetarët e Pollogut

Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasami, drejtorin e Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi, si dhe drejtorin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor Zllatko Perinski, sot vizituan Spitalin e Tetovës.
Gjatë vizitës u prezantua koncepti për rikonstruksionin e plotë, zgjerimin dhe pajisjen e spitalit. Vlera e parashikuar e investimit të planifikuar është rreth 4,56 miliardë denarë, përkatësisht afërsisht 74 milionë euro, ndërsa modeli përfundimtar i financimit do të përcaktohet pas përfundimit të analizave dhe procedurave të nevojshme.
Projekti parashikon rikonstruksionin dhe modernizimin e Bllokut të Kirurgjisë dhe atij të Sëmundjeve Interne; ndërtimin e një pavijoni të ri për disa veprimtari mjekësore; një objekt të veçantë për gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji; furnizimin me pajisje bashkëkohore mjekësore dhe sisteme të teknologjisë së informacionit; largimin e objekteve të amortizuara dhe rregullimin e plotë të kompleksit spitalor.
“Ky është një investim në dinjitetin dhe sigurinë e pacientëve, si dhe në kushte më të mira për punonjësit shëndetësorë. Synimi ynë është që qytetarët e Tetovës dhe të rajonit të Pollogut të marrin shërbime shëndetësore bashkëkohore dhe në kohë, sa më pranë vendbanimit të tyre”, theksoi ministri Klekovski.
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, tha se projektet kapitale të Qeverisë nuk ndalen, pavarësisht kush është ministër.
"Kjo dëshmon se projektet kapitale të kësaj qeverie nuk varen se kush është ministër. Tani me ministrin e ri së bashku me përfaqësuesit e Bankës Botërore kemi dalë në terren dhe nga sot nis procedura e një projekti më të rëndësishëm për pjesën perëndimore të Maqedonisë. Besojmë fuqishëm që ky projekt sa më shpejt të jetë në shërbim të qytetarëve të kësaj ane të Maqedonisë", tha Kasami.
Investimi është me rëndësi të drejtpërdrejtë për rreth 251.500 banorë të rajonit të Pollogut dhe pritet të mundësojë më shumë shërbime në nivel lokal, kohë më të shkurtër pritjeje dhe më pak referime drejt Shkupit.
Me përfaqësuesit e Bankës Botërore u shqyrtuan hapat e ardhshëm: përgatitja e studimit të fizibilitetit, dokumentacionit teknik, analizës së kostove dhe përfitimeve, si dhe përcaktimi i një modeli të qëndrueshëm financimi.







































