Intervista 20 sekondëshe e Ardon Jasharit, thotë se flet shqip dhe është nga Zvicra

Ardon Jashari ka dhënë intervistën e tij të parë si lojtar i ri i Milanit, pas prezantimit zyrtar të bërë nga klubi këtë të mërkurë.
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane iu përgjigj disa pyetjeve të shpejta në kanalet zyrtare të klubit, duke konfirmuar origjinën e tij dhe duke përfshirë edhe gjuhën shqipe në listën e gjuhëve që flet.
Transferimi i Jasharit nga Club Brugge te Milani u finalizua me një marrëveshje që kap vlerën totale prej 39 milionë euro, përfshirë bonuset.
Ai ka nënshkruar kontratë afatgjatë me “Rossonerët”, që e mban të lidhur me klubin deri në verën e vitit 2030.
Në sezonin e ri, 21-vjeçari do të mbajë fanellën me numër 30 në stadiumin legjendar “San Siro”, ndërsa te Milani pritet të shtojë konkurrencën në repartin e mesfushës dhe të sjellë freski në projektin e ri të trajnerit Massimiliano Allegri.
Ky është një tjetër hap i madh në karrierën e talentit shqiptar, i cili tashmë do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në një nga kampionatet më të forta të Evropës – Serie A. /Telegrafi/


















































