Raportimet e ditës së mërkurë bëjnë të ditur se Interi ka bërë një kërkesë për ish-sulmuesin e Aston Villas dhe Eintracht Frankfurt, Moussa Diaby, i cili thuhet se është i interesuar për një rikthim në Europë pas 18 muajsh të kaluar në Arabinë Saudite me Al-Ittihad.

Sipas raportimeve të Gianluca Di Marzio dhe Sky Sport Italia, Interi ka kryer një kontakt fillestar për të mësuar mbi disponueshmërinë e 11-herë reprezentuesit të Francës.


Gianluca Di Marzio shkruan se ky nuk pritet të jetë një proces i thjeshtë, duke qenë se Al-Ittihad nuk është i gatshëm të heqë dorë nga 26-vjeçari, për të cilin shpenzoi 60 milionë euro në verën e vitit 2024.

Megjithatë, Diaby thuhet se dëshiron rikthimin në Europë. Anësori ka pasur një periudhë të shkurtër në Serie A në fillimet e karrierës së tij, kur u huazua te Crotone nga Paris Saint-Germain, ku zhvilloi dy paraqitje në fund të sezonit 2017/18.

Raportohet se Interi është i interesuar për një huazim me opsion blerjeje, ndërsa Fabrizio Romano pohon se shuma e mundshme e transferimit mund të jetë rreth 35 milionë euro.

Sipas raportimeve të së mërkurës, “Nerazzurrët” do të ishin të prirur ta aktivizonin Diabyn në një rol paksa ndryshe nga ai që është mësuar: si mbrojtës krahu i djathtë në skemën 3-5-2 të Cristian Chivu.

Kjo lidhet kryesisht me dëmtimin e Denzel Dumfries, si dhe me raportimet për interesimin e disa klubeve për afrimin veror Luis Henrique.

Ndërkohë, Interi raportohet se po ndjek ende edhe një marrëveshje të mundshme me PSV Eindhoven për rikthimin e Ivan Perisic./Telegrafi/

telegrafi sport app