LAJMI I FUNDIT:

Interesat gjeopolitike dhe takimi Putin-Jinping

Interesat gjeopolitike dhe takimi Putin-Jinping

Një miqësi e dendur, e shpallur nga të dy si “pa kufizime”. Dy fuqi autoritare, njëra në Evropë dhe tjetra në Azi, të uritura për të përmbysur rendin global. Për llogari të përbashkët, por edhe për llogari të ndara. Ku e ku, edhe histori të përbashkëta, por edhe të hidhura. Kështu që, njëra prej tyre mund ta humbasë arsyen.

Në Evropë, prej një viti zhvillohet luftë në dukje e Putinit kundër Ukrainës, e në thelb e Putinit undër Perëndimit dhe e Perëndimit kundër Putinit. Putini luan me frikën se Perëndimi po i afrohet si shumë. Perëndimi, përkatësisht ShBA-ja, luan për të ndalur oreksin e mëtejshëm ekspansionist që do të hapte pushtimi rus i Ukrainës dhe kështu përmbysjen e ekuilibrave në Evropë. Prandaj, ShBA-ja iu gjend Ukrainës njësoj siç iu gjend Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Sovjetik, Francës dhe shteteve të tjera aleate që në vitin 1941 të Luftës së Dytë Botërore.


Në Azinë Lindore, nuk ka ende luftë, por gjithsesi ka një retorikë të egër lufte. Dhe, një buxhet lufte ku ai i shpalluri i Kinës për vitin 2023 është 224.8 miliardë dollarë. I pashpalluri: dyfishi. Tajvani dhe Deti i Kinës Jugore janë arsyet si për kinezët, ashtu edhe për amerikanët. Marrëveshja e para pak ditëve midis presidentit Biden, kryeministrit britanik Sunak dhe kryeministrit australian Albanese, për furnizimin e Australisë me nëndetëse të armatosura konvencionale, por që funksionojnë me energji bërthamore, është një arsye tjetër. Por, ka një arsye më të madhe: rajoni i Oqeanit Indian dhe Paqësor me më shumë se gjysmën e popullsisë së botës, është vatra e dy të tretave të ekonomisë botërore.

Kështu, bota ndodhet në prag të një konflikti të fuqive të mëdha. Një situatë e ngjashme si ajo e dhjetorit të vitit 1941, ku Gjermania dhe Japonia vendosnin nëse do të përballeshin ose jo me hegjemonët globalë, përpara se të ishte tepër vonë.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, gjeopolitika e botës është modeluar nga trekëndëshi strategjik Kinë-Rusi-ShBA. Në atë kohë, bashkësia e interesave, jo vetëm ideologjike Kinë-BRSSS, nxiti reagimin amerikan për të ndaluar përhapjen e komunizmit, çka e çoi ShBA-në në luftë në Kore, Vietnam e gjetkë. Por, në vitin 1972, sekretari i Departamentit të Shtetit, Kissinger, do t’i propozonte presidentit të vet Nixon të mirëkuptonte interesat gjeopolitike të Kinës dhe ShBA të bëhej aleat me të për të rrethuar, frenuar e shkundur BRSS-në, çka e transformoi bazën e mëparshme të trekëndëshit nga një aleancë BRSS-Kinë në aleancën SHBA-Kinë (ishte pikërisht ajo kohë kur Shqipërisë i erdhi një propozim zyrtar nga zëvendësi i Kissingerit, për ta futur edhe Shqipërinë në këtë vallë gjeopolitike të cilin, Enver Hoxha, për arsye të leximeve të veta gjeopolitike, e refuzoi).

Sot, baza e trekëndëshit është rikthyer te Rusia dhe Kina, por në raporte të përmbysura në krahasim me ato të Stalinit e Mao Ce Dunit. Në atë kohë ishte Bashkimi Sovjetik, përkatësisht Rusia që diktonte rregullat e lojës, ndërsa sot është e kundërta. Sidoqoftë, Putini e mori i pari iniciativën operacionale: shpalli dhe vazhdon luftën, edhe pse i izoluar totalisht nga bota dhe madje, tashmë edhe i akuzuar për gjenocid ajror dhe krime të tjera lufte. Një vendim i pakthyeshëm i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, që do të thotë, të paktën, Putini kurrë nuk do të jetë pjesë e tavolinave ndërkombëtare, edhe sikur të rizgjidhet president – çka nuk është pak në botën e sotme të forcës së diplomacisë. Se, diplomacia e forcës dihet se ku do ta çojë.

Nga ana tjetër, Xi po përdor aleancën e tij ruse për të dobësuar dhe penguar ShBA-në. Dhe, do të paraqesë një paketë për plan paqeje. Putini mund të mos jetë plotësisht dakord me lojën që do t’i propozojë Xi, por nuk është aq i fortë sa të mos e pranojë. Nuk përjashtohet që edhe të humbasë arsyen, se nuk ka çfarë të humbasë më. Aktakuza e Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë është një mesazh për të se një ditë do të japë llogaritë siç dha, për shembull, Millosheviqi.

Sidoqoftë, Rusia, si fuqia e njëmbëdhjetë në botë për nga prodhimi i përgjithshëm, dhe jo pak e konsumuar materialisht e moralisht nga lufta në Ukrainë, ka nevojë për të mbetur në skenën gjeopolitikisht dhe për të kërkuar ndihma materiale. Më mirë se Kinës nuk kishte kujt t’i drejtohej. I bashkon gjeografia, autoritarizmi, nevoja e ndërsjellë për shkëmbime tregtare etj. Kina ka nevojë për hapësira demografike në Siberi dhe për gazin rus. Rusia ka nevojë për armë dhe mbështetje ekonomike, financiare e diplomatike. Gjithsesi është një marrëdhënie disfunksionale, ku partneri dominant është Kina, për faktin se ka fuqinë shumë më të madhe ekonomike, e dyta në botë.

Koha dhe gjeografia janë dy aktorë dominantë që do të përcaktojnë shumë se çfarë do të zhvillohet. Në këtë kënd, ekuilibri ushtarak rajonal në Paqësor është në favor të Kinës. Në rast të një sulmi amfib të Kinës ndaj Tajvanit, prania ushtarake atje e ShBA-së mund të gjendet shumë shpejt e konsumuar, ndërsa rezervat strategjike mund të gjenden shumë të vonuara për shkak të largësisë gjeografike dhe, rrjedhimisht, kohës së gjatë të afrimit. Ndërkohë, Kina ka avantazh pikërisht numrat, gjeografinë dhe kohën.

Në vatrën tjetër, Ukraina është po kaq larg në kohë dhe gjeografi. Për më tepër, nëse hapen të dy frontet njëherësh, pasiguria është e sigurt. Do të jenë interesat strategjike që do të vendosin. Xi Jinping nuk ka interes që Putini të mposhtet, sepse paqëndrueshmëria, rënia apo, akoma më keq, shkoqja e Rusisë, e fut Kinën në rrethim të plotë strategjik. Një luftë e vazhdueshme e Rusisë që shpërqendron dhe varfëron ShBA-në, sfiduesin kryesor të Kinës, dhe që ndan Evropën dhe NATO-n, i përshtatet bukur fort interesave të Kinës. Prandaj, Xi vlerësohet se do ta portretizojë veten si një ndërmjetës me peshë, që e mban Rusinë në këmbë, sigurisht jo aq të fortë sa të mos ia ketë nevojën Kinës.

Kështu, Xi avancon edhe ambicien e tij për të udhëhequr një rend botëror alternativ, jodemokratik, joliberal, për të zëvendësuar status quo-në e dominuar nga ShBA-ja. Prandaj, nuk duket se do shkohet në konflikt të mëtejshëm ushtarak. Hë për hë, Kina nuk e ka këtë interes. Do t’i mëshojë më shumë formatit gjeopolitik të fuqisë në krahasim me atë ushtarak. Në këtë kuadër, do të kemi një përpjekje të vendeve Grupit BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikës së Jugut) për zhvillimin e një monedhe të re rezervash globale duke de-dollarizuar botën dhe kështu, pakësimin e peshës gjeopolitike të ShBA-së.

A do të formësojë ShBA në këto rrethana një “NATO” tjetër, ndoshta një NPTO (North Pacific Treaty Organization)? Hijet janë hedhur. Çka do të thotë se evropianët do të duhet të mbështeten shumë më shumë te vetvetja se deri më sot. Çka ishte një arsye e fortë pse Gjermania po shndërrohet në fuqinë e tretë në botë për nga buxheti i mbrojtjes. Edhe të tjerët, kanë shumë arsye. Shqipëria, ndoshta ca më shumë.