Një grup arkeologesh të njohur dhe pedagogë të universitetit të Salzburg-ut kanë vizituar Tumen e Kamenicës, një nga sitet me të njohura të historisë së arkeologjisë të vendit tonë.

Ata thanë se Shqipëria ka vende të shumta që duhen vizituar, por kanë nevojë për investime në kërkim dhe zbulim.


Arkeologët shtojnë se përgjegjësia për këtë nuk është vetëm e qeverisë shqiptare, por edhe BE-se qe sipas tyre duhet të ofrojnë më shumë për vendet e Ballkanit.

“Tuma e Kamenicës eshte nje nga vendet më interesante që kam parë. Një nga sitet më të mirëmbajtura. Problemi është se këtu institucionet duhet të kenë më tepër vëmendje ndaj arkeologjisë, të investojnë me tepër ne sajtet kulturore të trashëgimisë e nga ana tjetër edhe ne si vende të BE duhet të jemi më të përqendruara drejt vendeve të Ballkanit “, tha arkeologu Rubeer Bretëiser.

“Ishim në Shkodër, Krujë, sot jemi në Korçë, me pas do të ikim në Butrint. Jemi një grup arkeologësh dhe profesorësh nga universitet i njohur dhe duam të njihemi me historinë tuaj. Një nga gjërat që do veçoja është vëmendja që kërkojnë këto vende arkeologjike nga institucionet, duhet me tepër investim ekonomik e nga ana tjetër do të shkruajmë e një raport për Austrinë, për të qenë më e vëmendshme me fonde drejt vendit tuaj”, u shpreh arkeologu Martin Chiefberger.

Në të njëjtën linjë është dhe arkeologu shqiptar Olsi Lafe  i cili shton se me rritjen e numrit të vizitorëve në këto site, rritet edhe nevoja për investime.

“Nuk janë vizitorët e thjeshtë, por janë individë profesionistë të ankitetit që vijnë në Shqipëri dhe kanë interes të kuptojnë më shumë nga pamja vizuale dhe përmbajtesore sic eshte Tuma e Kamenicës. A bëhet mjaftueshëm në disa raste? Bëhet. Por a duhet bërë me tepër? Patjetër. Investimet në kulturë kërkojnë pasion, vetëmohim, nuk te kthehet ne pikëpamje ekonomike, por kthehet në pikpamje të tjera”, deklaroi arkeologu Olsi Lafe.

Tuma e Kamenicës është një nga më të  mëdhate e më të njohura deri më tani, ku janë evidentuar varre, skelete kockore, objekte arkeologjike si qeramikë, armë, stoli prej bronxi, hekuri, argjendi, ari, qelibari dhe kocke. Ky vendvarrim prehistorik është monument kulture ku janë zbuluar rreth 425 skelete dhe 3600 objekte./Vizion Plus