LAJMI I FUNDIT:

Institucionet nuk e hetojnë “Kioski-n” që do të analizojë MO-në

Institucionet nuk e hetojnë “Kioski-n” që do të analizojë MO-në

Mbeten të hapura çështjet në lidhje me tenderin që e mori “Kiosku” nga Tetova për analizën e Marrëveshjes së Ohrit, edhe pse rrjedh afati prej 12 ditëve, të cilin kompania duhet ta respektojë. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, nuk tregoi nëse kanë kërkuar informata shtesë për tenderin nga Sekretariati për zbatimin e Marrëvëeshjes së Ohrit, pasi një ditë më parë njoftoi se do të kërkojnë ndërprerjen e kontratës me “Kioskun” nëse paraqiten vërejtje mbi besueshmërinë e analizës.

Nga OBRM-PDUKM nuk kanë asnjë koment. Kjo parti thotë se përgjigjet rreth asaj që është dakorduar t’i kërkojmë në Sekretariat.


Por, tashmë disa ditë me radhë është e pamundur të kontaktohet kreu i këtij institucioni, zv/kryeministri Festim Halili, sepse nuk përgjigjet në thirrjet telefonike.

As nga komisioni anti-korrupsion nuk morëm informacion nëse ka indikacione për ngritjen e procedurës, pasi dy ditë më parë ish-anëtari i komisionit anti-korrupsion Arif Musa tha se pas publikimit të të dhënave në Alsat, ky institucion e ka radhën të ndërmarrë diçka.

Nga Byroja për prokurime publike shpjegojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim për ndonjë parregullsi, por se do të kontaktojnë sekretariatin për prononcim mbi rrjedhën e procedurës.

”Pas procedurës së realizuar dhe lidhjes së kontratës, Sekretariati ka publikuar njoftim të lidhjes së kontratës në përputhje me detyrimet ligjore në të cilën njofton për emrin e kontraktuesit të zgjedhur për furnizim. Në njoftimin për Kontratë të lidhur nuk përmendet emri i ndonjë subjekti tjetër” – u deklaruan për nga Byroja e Prokurimit Publik.

Alsat M deri më tani publikoi se në dokumentet me të cilat kompania ka aplikuar qëndron emri “TDS Kiosku”, ndërsa në reagimin e mëvonshëm të kompanisë thuhet se ka një degë të vet me emrin “Advertajzing”, e cila merret me shërbime dhe me të cilën ka fituar tenderin.

Por sipas dokumenteve nga Regjistri qendror, filiali është regjistruar më 2 dhjetor, ndërsa tenderi është marrë më 21 nëntor, ose 11 ditë më parë. Megjithatë, nga “Kiosku” pohojnë se nuk ka asnjë shkelje në procesin e tenderimit. Deri në afatin e fundit, apo 21 janar, përveç analizës kuantitative të realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, duhet të mbahet një konferencë ndërkombëtare, 6 konferenca rajonale dhe hulumtim të opinionit publik në nivel kombëtar dhe strategji e afirmimit të kontratës./Telegrafi/