LAJMI I FUNDIT:

Inspektorati i Punës me vetëm 33 inspektorë

Inspektorati i Punës me vetëm 33 inspektorë

Me vetëm 33 inspektorë është duke funksionuar, inspektorati i punës, derisa vdekjet e punëtoreve si pasojë e mungesës së kushteve të punës, janë bërë të shpeshta në Kosovë. Nga ky institucion thonë se ndonëse ky numër është i pamjaftueshëm, ata kanë rritur numrin e inspektimeve.

Mbi 455 mijë euro është shuma e gjobave të shqiptuara për 5 muaj, ndaj kompanive të ndryshme, për shkelje të drejtave të punëtorëve nga inspektorati i punës.


Ky institucion që vepron në kuadër të ministrisë së financave, ka vetëm 33 inspektorë, që veprojnë në nivel vendi, e që sipas kryeinspektorit, ky numër është i vogël.

“Qëllimi i rekrutimit të inspektorëve, apo rekrutimi i sa më shumë inspektorëve është që të rritet numri i inspektimeve, jo vetëm inspektimeve sipas kërkesës apo sipas aksidenteve në punë, por edhe inspektimeve të rregullta”, sipas Hekuran Nikçit, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës.

Nikçi që udhëheq me Inspektoratin e Punës, tek përmend shkeljet më të shpeshta që ndodhin nga kompanitë, thotë se si shkak i kushteve të punës, këtë vit kanë humbur jetën 5 persona.

“Shkaqet që vijnë deri te vdekjet, janë kryesisht mosrespektimi i ligjit për siguri dhe shëndet në punë, nga subjektet si skelet që nuk vendosen sipas standardeve, si mos mbyllja e hapësirave me rrezikshmëri si hapësirave të ashensorëve shkallëve dhe të tjera, mospasja e punëtoreve me pajisje mbrojtëse”, ka thënë Hekuran Nikçi.

Që institucionet e Kosovës, do duhej të e merrnin më seriozisht vdekjet që ndodhin në vendet e punës, e thonë edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

“Ne si KMDLNJ edhe më herët kemi propozuar që të ketë më tepër inspektime, të ketë gjoba më të larta, për ato kompani ose biznese, të cilat nuk u ofrojnë kushtet e domosdoshme dhe kushtet e nevojshme të gjithë atyre punëtoreve, të cilët i kanë të angazhuar. Pra institucionet nuk e di edhe çka duhet me ndodhë më e madhe në mënyrë që me u marr seriozisht”, ka thënë Valentina Demolli nga KMDLNj.

Si pasojë e mungesës së kushteve adekuate të punës, gjatë së martës, ka humbur jetën edhe një punëtorë 38 vjeçar, i cili derisa ishte duke punuar, kishte rënë nga ndërtesa në Fushë Kosovë./RTV Dukagjini/