Inspektorati në Prishtinë shqipton gjobë 500 euro për hedhje të paligjshme të mbeturinave

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Kryeqytet ka njoftuar se ekipet e saj po vazhdojnë çdo ditë aksionet për largimin e mbeturinave vëllimore në lagje të ndryshme të Prishtinës, ndërsa ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj qytetarëve që hedhin mbeturina në vende të paautorizuara.
Sipas njoftimit, pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm në terren, ende ka raste të hedhjes së mbeturinave në mënyrë të paligjshme, duke dëmtuar hapësirat publike dhe mjedisin.
Në këtë kontekst, Drejtoria bën të ditur se Inspektorati i Kryeqytetit ka shqiptuar një gjobë prej 500 euro ndaj një qytetari të kapur në flagrancë duke hedhur mbeturina në mënyrë të paligjshme.
“Mbrëmë, në orët e vona të natës, Inspektorati i Kryeqytetit ka shqiptuar gjobë prej 500 euro ndaj një qytetari të kapur në flagrancë duke hedhur mbeturina në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftim.
Drejtoria ka paralajmëruar se kontrollet dhe inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe se shkelësit do të përballen me masa ndëshkuese në bazë të legjislacionit në fuqi.
Po ashtu, qytetarët janë ftuar që të raportojnë rastet e tilla në numrat pa pagesë: 0800 12233 dhe 0800 12244. /Telegrafi/











































