LAJMI I FUNDIT:

Me iniciativën e “Let’s Do It”, pastrohet deponia më e madhe në rajonin e Pejës

Me iniciativën e “Let’s Do It”, pastrohet deponia më e madhe në rajonin e Pejës

Vullnetarët e “Let’s Do It” iu kanë bashkuar aksionit për pastrimin e deponisë më të madhe të mbeturinave në rajonin e Pejës, e cila gjendet në fshatin Dydesh në zonën ku ndahen komuna e Pejës dhe ajo e Istogut.

Sipas njoftimit për media, nga iniciativa e “Let’s Do It”, pastrimi i kësaj deponie ka filluar dje me makineri, ndërsa do të vazhdojë edhe nesër, deri në eliminimin e tërësishëm të mbetjeve aty.

“Aksioni për pastrimin e deponisë më të madhe në Rajonin e Pejës është mbështetur financiarisht nga Komuna e Pejës dhe ajo e Istogut, derisa “Let’s Do It” ka ofruar një sasi derivatesh për makinerinë që do ta kryej pastrimin në atë zonë”, thuhet në njoftim.


Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj kërkoi edhe njëherë nga qytetarët që të mirëmbajnë këtë hapësirë, edhe për shkak të rëndësisë së veçantë që ka ajo.
Derisa, bëri të ditur se e njëjta hapësirë pas pastrimit, do të rrethohet, e më pas edhe do të gjelbërohet.

“Është kënaqësi me qenë në Istog, përkatësisht në zonën ku ndahet Istogu me Pejën. Sot këtu po ndodh ajo që duhet të ndodh jo vetëm në Istog, Pejë, por në tërë Kosovën, ku të gjithë bëhemi bashkë për një të mirë të përgjithshme. Pra, shoqëria civile, institucionet, mediat, vullnetarët të gjithë janë mbledhur që të japin kontributin e tyre që kjo hapësirë, e cila ka edhe një simbolikë tjetër për të dy komunat, pasi që këtu kanë qenë edhe shtigjet e luftës, dhe kjo zonë vizitohet prej shumë njerëzve, andaj nuk është imazh i mirë as për Istogun, as për Pejën që t’i shohim pamjet e tilla, andaj unë sot uroj dhe shpresoj që do të jetë hera e fundit që ne vijmë këtu me pastru. Kjo hapësirë pasi të pastrohet, do të rrethohet e më pas edhe do të gjelbërohet. Andaj ju bëjë thirrje qytetarëve të dy komunave që të kujdesen për këtë hapësirë, sepse nëse ne vetë nuk kujdesemi, atëherë nuk kemi të drejtë të kërkojmë as nga institucionet një gjë të tillë”, ka thënë Hasanaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova theksoi se komuna që ai udhëheq do të vazhdojë bashkëpunimin në projekte të tilla për pastrim.
“Sigurisht që do të vazhdojmë edhe ma tutje me projekte tjera të përbashkëta dhe kjo e ka edhe një vlerë tjetër simbolike ta quaj. E di që këto mbeturina janë hedhë edhe nga Komuna e Pejës edhe komuna e Istogut, tash jemi pikërisht në territorin e komunës së Pejës këto janë komuna të përbashkëta qytetarët tanë kanë shumë më shumë interes për këtë rrugë se sa edhe vet Peja”, ka thënë Rugova.

Aksionit iu bashkua edhe Xhavit Gashi, Gjeneral Brigade i FSK-së i pensionuar dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Ioëa, tani në pension.
Gashi premtoi se do të vazhdojë të mbështes aktivitete të tilla për një Kosovë të pastër.

“Së pari do të doja t’i falënderoj dy komunat, të Istogut edhe të Pejës, si dhe Let’s Do It Kosovën. E përgëzoj Luanin dhe vullnetarët për këto iniciativa. Unë kam pasur rastin të marrë pjesë edhe në disa aksione pastrimi që janë mbajtur në Prishtinë, si vullnetar, por edhe këtu në Istog. Do t’ju mbështes sa të mundem, dhe shpresoj që së bashku do të bëjmë Kosovën më të pastër, për veti ma së pari, e edhe për turistët që vinë në këto zona për t’i parë bukuritë natyrore. Ju përgëzoj edhe njëherë për punën dhe shpresoj se do të vazhdojmë bashkë”, ka thënë Gashi.

Në zonën mes Komunës së Pejës dhe asaj të Istogut, në fshatin Dydesh, gjenden dy deponi të mëdha. Njëra është në zonën me Istog, ndërsa tjetra me Pejë.
“Let’s Do It” ju njofton se falë angazhimit dy ditor, sot është përfunduar pastrimi i deponisë që gjendet në zonën e Pejës si dhe brigjet e rrugës. Po ashtu, sot ka filluar pastrimi i zonës që gjendet me Komunën e Istogut, e cila pritet të përfundojë nesër.

Në njoftim thuhet se “Let’s Do It” ju njofton se aktivitete për pastrimin dhe gjelbërimin e hapësirave publike do të ketë edhe ditëve në vijim./Telegarfi/