Infermieri Enlirat Duraku nga sot do të hyjë edhe në grevë të etjes.

Duraku i cili ka qenë në grevë të urisë thotë se është shumë e vështirë që dikush të jetojë pa ushqim dhe ujë.

“Nga sot do filloj edhe grevë të etjes. Vlerësimi se sa mund të jetojë dikush pa ushqim dhe lëngje është shumë i vështirë. Është e rëndësishme të kuptohet se çdo organizëm është i ndryshëm, që përfshinë shumë faktorë dhe se të gjithë kanë përgjigje të ndryshme ndaj këtij regjimi. Marrja e lëngjeve ka efektin më të madh në mbijetesë. Trupat tanë kanë tendencë që të shfrytëzojnë rezervat e energjisë nga deponitë e ushqimit në organizëm për 2 apo 3 javë, por mungesa e lëngjeve shkakton probleme me funksionimin e veshkave brenda pak ditësh. Kur dikush nuk merr lëngje, dhe nëse ai ose ajo është i shtrirë në shtrat dhe kështu ka nevojë për pak lëngje, atëherë ky person mund të jetojë pak ditë ose për aq kohë sa dy javë”, thuhet në njoftimin e Durakut.

Duraku ka hyrë në grevë për shkak të mosplotësimit të kërkesave të infermierëve për rritje të pagesës së ndërrimeve të natës, pagesës së punës gjatë vikendeve dhe orëve shtesë si dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë. /Telegrafi/