Incident me armë zjarri në rrugën Gjilan–Kamenicë, një person i plagosur

Një incident me armë zjarri është raportuar të mërkurën, rreth orës 18:00, në rrugën Gjilan–Kamenicë, në afërsi të një pike të karburantit.
Sipas Policisë së Kosovës, si pasojë e incidentit një person ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Gjilanit për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga autoritetet shëndetësore.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani, ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.
“Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se në incident kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje. Si pasojë e rastit, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe aktualisht po trajtohet nga autoritetet shëndetësore,” ka deklaruar Hashani.
Ai ka shtuar se Policia, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe se janë në kërkim të personave të dyshuar lidhur me këtë rast.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë për motivin e incidentit.















































