Një incident i rëndë është regjistruar sot në Pejë, ku një nxënës ka sulmuar edukatoren e tij në një institucion parashkollor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se rasti ka ndodhur rreth orës 10:40.


“Sot rreth orës 10:40, policia është njoftuar se në një kopsht në Pejë, një nxënës e ka goditur edukatoren e tij me një shufër metalike, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit të Pejës”, deklaroi Gashi për Telegrafin.

Ai shtoi se njësitë relevante të Policisë së Kosovës, si dhe prokurori i shtetit, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me hetimin e plotë të rrethanave të incidentit.

Ndërkohë, burime bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në kopshtin “Pëllumbat e Paqes” në Pejë, ndërsa mosha e fëmijës së përfshirë në incident raportohet të jetë rreth 7 vjeç.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar. /Telegrafi/