LAJMI I FUNDIT:

Ikja e një poeti që nuk pati kohë të vdesë!

Ikja e një poeti që nuk pati kohë të vdesë!
Jorgo Papingji

Nga: Ilir Çumani

Thonë se Jorgo Papingji e dha frymën e fundit dhe trupin ia lëshoi tokës. Por, më besoni miq, poeti nuk ka vdekur! Ai nuk vdes, sepse poetët si ai nuk dinë të vdesin kurrë. Ose më mirë, le të themi se nuk kanë kohë të vdesin!


Ngase, poetët e vërtetë si Papingji vijnë në këtë jetë si shërbestarë dhe misionarë të së mirës, të së bukurës … Ata janë dishepujt e shpresave dhe dashurive të mëdha, por janë edhe mbartës stoikë e të qenësishëm të shqetësimeve e dhimbjeve të mëdha njerëzore. Ata nuk dinë të jetojnë kurrë për veten e vet, ngase jetojnë vetëm për të tjerët, për jetën, për njerëzit, jetojnë për të shkuarën, për të tashmen dhe për të ardhmen.

A nuk ka ndodhur kështu edhe me mjeshtrin e fjalës së këngëzuar, Jorgo Papingji? Nuk ka fëmijë dhe të rritur, grua e burrë, gjyshe dhe gjyshër flokëbardhë që të mos e njohin poetin, këtë magjistar të fjalës së këngës. Ai hyri natyrshëm pa trokitur dhe pa zhurmë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, duke zënë vend në çdo sofër familjare. Eh, sa bukur e jetove jetën poet! Në vargjet e tua kishte vetëm dashuri, shpresë, dritë dhe jetë.

Ndaj, nuk ke vdekur, sepse nuk dite kurrë të vdesësh! Udhëtove pafundësisht në të gjithë universin e kësaj bote që të rrethonte, gjithë gazmend, ndaj vazhdo dhe jeto miku im poet, ashtu siç vetëm ti di të jetosh!

Në “Ditën e Poezisë”, një poet zgjodhi të shkruajë elegjinë e fundit hokatare të ikjes së tij të përgjithmonshme, si për të na kujtuar se asgjë në këtë botë nuk duhet marrë seriozisht, përfshirë edhe vdekjen …

Ndaj, të gjithëve ne, bashkëkohësit e poetit që e jetuam prej dekadash mesazhin dhe kumtin e fjalës së tij, na takon t’i themi “Jo” largimit të Jorgo Papingjit nga bota e të gjallëve … Të më falësh poet, por zemra nuk më bindet që të nxjerr nga goja fjalën: Lamtumirë! Të paktën vetëm sonte, ne, të themi: “Jo”! Kështu e thua edhe ti në një nga vargjet e tua, poet!

Në trend Kultura

Më shumë
Bardi i Bruklinit

Bardi i Bruklinit

Kulture
Kush i nëmi “Bjeshkët e Nemuna”?

Kush i nëmi “Bjeshkët e Nemuna”?

Kulture
NË MUNDSH

NË MUNDSH

Poezi
KREDO

KREDO

Poezi
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Viti 1979: Jetë, o jetë...

Viti 1979: Jetë, o jetë...

Agron Shala
Kalo në kategori