David Miliband, Frank Walter-Steinmeier, Dimitrij Rupel, Per Stig Moeller, Ilkka Kanerva dhe Karel De Gucht thanë se qeveritë e vendeve të tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për shkak të bindjes se pavarësia e mbikëqyrur ofron rrugën e vetme përpara për Kosovën dhe për rajonin.

"Në një situatë ku status quoja është e paqëndrueshme dhe ku marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit është e paarritshme, pavarësia e mbikëqyrur është garancia më i mirë për një të ardhme demokratike dhe shumëkombëshe për Kosovën", thonë ministrat e gjashtë vendeve evropiane.

"Pavarësia pasqyron në mënyrë të arsyeshme realitetet politike që kanë pasuar zhvillimet gjatë viteve të 90-ta, i njeh aspiratat e shumicës dërmuese të popullatës në Kosovë, ndërkohë që ruan dhe mbron interesat e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera joshqiptare. Me të është zgjidhur çështja e fundit e statusit që ka mbetur nga zhbërja e Jugosllavisë dhe po të mbetej e pazgjidhur, në mënyrë të pashmangshme do ta pezullonte edhe përparimin e rajonit drejt integrimeve evropiane", nënvizuan ministrat evropianë.

"Bashkimi Evropian ka thënë qartazi se e ardhmja për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor gjendet tek Bashkimi Evropian. Serbia, me një demokraci të fortë, me një ekonomi të zhvilluar dhe kapacitet mbresëlënës administrative, në një lokacion gjeografik në zemër të rajonit dhe infrastrukturës rajonale, duhet të jetë ajo që e udhëheqë një trend të këtillë", kanë potencuar ata. /qik/telegrafi/