LAJMI I FUNDIT:

Identiteti i mbrojtur, vlerë e shtuar e biznesit

Identiteti i mbrojtur, vlerë e shtuar e biznesit

Më shumë se 37 mijë kompani e kanë regjistruar markën e tyre tregtare në Kosovë. Marka tregtare vazhdon të jetë pronësia intelektuale më e regjistruar në Kosovë si masë mbrojtëse e identitetit dhe krijimtarisë së një biznesi. Pandemia nuk ka zvogëluar këtë trend të regjistrimeve pasi që vetëm gjatë vitit 2020 janë regjistruar 2 mijë marka të reja tregtare.

“Një brend i regjistrum është aset i kompanisë. Prona intelektuale është diçka që është krijuar nga mendja e njeriut dhe ajo mbrohet siç mbrohet secila pronë tjetër në Kosovë,” thotë Nezir Gashi, Drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Pronësi Industriale.


Pronësia intelektuale stimulon inovacion tek ndërmarrjet të cilat sjellin zhvillimin ekonomik. Deklarimi i kësaj pasurie përcakton suksesin në një botë të globalizuar dhe digjitale.

Një rrugë të tillë po ndjek edhe kompania ‘LabBox’ e cila po shpikë produkte me të cilat zhvillohen projekte inxhinierike. Zgjidhjet e ofruara kanë çuar kompaninë të dizajnojë produkt unik në mënyrë specifike.

“Duke parë që një produkt si ‘LabBoxi’ i duhet botës atëherë e kemi parë potencialin ta rrisim në tregjet evropiane dhe amerikane. Prandaj ne duhet të përgatitemi për një rritje të tillë dhe njëra prej pikave në këtë përgatitje është edhe mbrojtja e pronës intelektuale,” thotë themeluesja Arta Shehu-Zaimi.

LabBox do të patentojë produktin për ta mbrojtur nga kopjimi si dhe për të tërhequr investime nga jashtë për të rritur vlerën e kompanisë.

Vetëdija e përgjithshme e shoqërisë kosovare mbetet e ulët për rëndësinë e pronësisë intelektuale. Kjo shkakton që mallrat e falsifikuara të vazhdojnë të gjenden në tregjet e Kosovës.

Megjithatë, kjo nuk i ndal disa kompani të investojnë në produktin e tyre dhe të zhvillojnë brende të njohura si në vend ashtu edhe ndërkombëtarisht.

“Është me rëndësi dhe karakteristike që lëndën e parë që e prodhojmë ne nuk e blejmë të gatshme, por e marrim në fabrikë direkt dhe ne jemi ata që e përcaktojmë cilësinë. Prandaj për këtë kemi pas sukses dhe mund të garantojmë për kualitetin,” thotë pronari i ‘SSprint’-it Sami Sopa. Kompania punëson 130 punëtorë ndërsa synon t’i angazhojë edhe 100 të tjerë këtë vit.

Pronësia intelektuale është e rëndësishme për shkak se ka të bëjë drejtëpërdrejtë me ekonominë e një vendi. Sa më shumë që i kushtohet rëndësi pronës intelektuale ai vend është ekonomikisht më i zhvilluar.

Artikull i sponzorizuar