LAJMI I FUNDIT:

​Ibrahimi: Situata me COVID-19 në komuna është e menaxhueshme, kërkohet shtim i stafit shëndetësor

​Ibrahimi: Situata me COVID-19 në komuna është e menaxhueshme, kërkohet shtim i stafit shëndetësor

Situata me pandeminë Covid-19 në komunat e Kosovës është e menaxhueshme, megjithatë të njëjtat po kërkojnë shtimin e stafit adekuat shëndetësor, pasi që shumë prej tyre janë infektuar së fundmi me coronavirus.

Kosova tash e pesë muaj po lufton me këtë virus vdekjeprurës, e që pas vetes po lë edhe pasoja të mëdha ekonomike.


Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për KP se në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës, udhëheqësit e komunave të Kosovës i kanë dhënë përkrahje Avdullah Hotit për të gjitha masat që mund të merren me qëllim të shpëtimit të jetës së qytetarëve.

“Të gjithë së bashku mendojmë që situata me Covid-19 në komunat e Kosovës është e menaxhueshme. Kështu që nuk ka ndonjë për problem në menaxhimin e situatës. Bashkëpunimi me nivelin qendror në përgjithësi është korrekt. Asociacioni i Komunave të Kosovës është duke bashkëpjesëmarrës në takimet e komunitetit antiCovid-19, i cili është duke u kryesuar nga ministri Armend Zemaj dhe bashkë-kryesuar nga kryeministri Hoti”, deklaron ai.

Një nga kërkesat e komunave të Kosovës është rritja e numrit të stafit shëndetësor adekuat, meqë shumë prej tyre tani më janë prekur nga coronavirusi.

“Duke marrë parasysh që nga fillimi i muajit korrik numri i të infektuarve është në rritje e sipër dhe duke marrë parasysh që në bashkëbisedim që kemi pasur me drejtorët komunalë për shëndetësi, përkatësisht kolegjiumin tonë profesional të shëndetësisë, thuhet që një përqindje e caktuar e mjekëve në QKMF është i infektuar me Covid-19, pasi që të gjithë mjekët janë në vijë të parë frontit duke i ndihmuar qytetarëve. Dhe për këtë arsyeje edhe në bazë të analizës së Asociacionit të Komunave të Kosovës që është bërë në të gjitha komunat, kërkohej që rritja e numrit të stafit adekuat, në mënyrë që të përballen me pandeminë Covid-19”, tha Ibrahimi.

Sipas tij, të hyrat vetanake të komunave të Kosovës do të kenë rënie drastike gjatë këtij viti.

“Planifikimet e bëra që për këtë vit të mblidhen 82 milionë euro nga të hyrat vetanake, do të jetë e pamundur që ato të mblidhen. Për këtë arsye, të gjitha komunat e Kosovës e kanë bërë rishikimin e buxhetit në mënyrë që të shohin se cilat do të jenë nevojat për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Shumë mjete nga të hyrat vetanake, por edhe nga mjetet e komunave janë dedikuar dhe janë rialokuar nga investimet tjera”, tha Ibrahimi.

Nga nesër Komuna e Prishtinës do të fillojë me testimet serologjike, ndërsa Ibrahimi thotë se shpejt këto testime mund të bëhen edhe në komunat tjera.

Komunat e Kosovës, ndër të tjera, po kërkojnë ndryshimin e ligjit për Prokurimin Publik, pasi sipas tyre kështu po u pamundësohet shpenzimi i mjeteve të investimeve kapitale.