Nga lulet e bukura deri te kokrrat që tërheqin fëmijët dhe kafshët shtëpiake, disa bimë dekorative mund të jenë seriozisht helmuese

Në shikim të parë, gjithçka duket si nga revistat. Një kopsht i rregulluar, lule shumëngjyrëshe, aroma që përhapen nëpër hapësirë. Megjithatë, pas kësaj pamjeje shpesh fshihet diçka për të cilën rrallë mendohet. Disa nga bimët më të bukura, të cilat njerëzit me vetëdije i sjellin në oborr, mund të jenë seriozisht helmuese.


Problemi është se rreziku nuk duket si rrezik. Përkundrazi, duket tërheqës. Ngjyra të ndezura, kokrra të vogla, lule të buta. Pikërisht ato që më së shumti i tërheqin fëmijët, por edhe kafshët shtëpiake, të cilat instinktivisht e eksplorojnë hapësirën, transmeton Telegrafi.

Bimët që duken të padëmshme, por nuk janë

Shumë prej këtyre bimëve njerëzit i blejnë sepse janë dekorative, pa qenë të vetëdijshëm se çfarë po fusin në hapësirën e tyre. Disa prej tyre madje ngjajnë me bimë të ngrënshme, gjë që e shton edhe më shumë rrezikun.

Mezereoni (Daphne mezereum), për shembull, lulëzon herët dhe duket si zbukurim ideal. Më vonë zhvillon kokrra të kuqe, të cilat lehtë mund të mashtrojnë, sepse ngjajnë me rrush pa fara. Problemi është se edhe një sasi e vogël mund të shkaktojë pasoja serioze.

Chrocusi vjeshtor (Colchicum autumnale) është një tjetër shembull i bimës që lehtë mund të mashtrojë. Në pranverë ngjan me hudhrën e egër, ndërsa në vjeshtë lulëzon si shafrani. Pikërisht kjo ngjashmëri çon te gabimet më të rrezikshme.

Shiu i artë (Laburnum anagyroides), me lule të verdha, zakonisht në tufa të varura, të gjata, shumë dekorative, shpesh është ndër zgjedhjet e para për shkak të luleve të verdha tërheqëse. Megjithatë, bishtajat e tij ngjajnë me bizele ose fasule, gjë që është veçanërisht e rrezikshme në familjet me fëmijë.

Rreziku që shpesh është fare pranë

Tisi evropian (Taxus baccata) është një nga bimët më të zakonshme në oborre dhe parqe, por pak kush e di se pothuajse e gjithë bima është helmuese. I vetmi pjesë që nuk është e rrezikshme është mbështjellësi i kuq i frutit, ndërsa fara, gjilpërat dhe lëvorja mund të jenë shumë të dëmshme, sidomos për kafshët.

Zambaku i luginës (Convallaria majalis), që shpesh lidhet me pranverën dhe me simbolikën e butësisë, po ashtu mbart rrezik. Gjethet e tij lehtë mund të ngatërrohen me hudhrën e egër, ndërsa më vonë zhvillon kokrra që fëmijëve mund t’u duken si diçka që mund ta provojnë.

Çfarë duhet shmangur në oborr

Nëse keni fëmijë të vegjël ose kafshë shtëpiake, ka bimë që kërkojnë kujdes shtesë ose që është më mirë të shmangen plotësisht. Në mesin e tyre janë mezereoni, chrocusi vjeshtor, shiu i artë, tisi, zambaku i luginës, por edhe helmarina, kukuta, ricini dhe lloje të tjera që përmbajnë toksina të fuqishme.

Thelbi nuk është që kopshti të jetë i zbrazët ose steril, por të jetë i sigurt. Bukuria e hapësirës nuk duhet të vijë me çmimin e rrezikut. Mjafton pak informim para blerjes dhe vetëdija se ajo që duket më e bukur, ndonjëherë mund ta fshehë edhe rrezikun më të madh. /Telegrafi/