Në fillim të këtij viti, qeveria po ashtu hoqi dorë nga dallimi mes shprehjeve “zonjushë” dhe “zonjë” në dokumentet zyrtare, duke përdorur vetëm termin e përgjithshëm “Zonjë”. Por vlen për t’u parë nëse këto ndryshime do të jenë të qenësishme apo simbolike në politikën franceze.

Pjesa më e lehtë e ditës për Olivia Cattanin përfundon në drekë, kur ajo lë punën si ndihmës edukatore dhe nis punën tjetër të saj - si gazetare dhe themeluese e organizatës feministe “Fjalët e grave”.


Cattan ka këshilluar presidentin e ri të Francës, Francois Hollande për çështjet e grave. Kabineti i presidentit Hollande ka një numër të barabartë ministrash gra e burra. Në të përfshihet edhe një ministri e re për të drejtat e grave, kryesuar nga 34 vjeçarja Najat Vallaud Belkacem.

Cattan thotë se hapat e parë janë premtues. “Është një akt i rëndësishëm i presidenti Hollande, është një faqe e re. Është qeveria e parë e barabartë nga pikëpamja gjinore në Francë. Ai me të vërtetë ka kthyer një faqe të re për feminizmin në Francë”.

Cattan thotë se Franca ka tashmë për herë të parë jo një zonjë të parë - por një “partnere të parë. Ajo është gazetarja Valerie Trierweiler, e cila nuk është e martuar me Hollande dhe që e shoqëroi atë në vizitën e tij të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara.

“Partneriteti i tyre tregon se nuk është e domosdoshme të jesh i martuar për të jetuar me dikë. Ne kemi të drejtën të zgjedhim jetën që duam të jetojmë”.

Çështjet e grave kanë qenë në qendër të vëmendjes në Francë për arsye të tjera- sidomos për skandalet e dyshuara seksuale ku përfshihet edhe ish kryetari i Fondit Monetar dhe politikani francez, Dominique Strauss Khan, raporton VOA.

Profesoresha e ekonomisë dhe të drejtave të pakicave, Anne Boring, thotë se skandali i Strauss Khanit ka tronditur shoqërinë. “Tani gratë kanë më shumë vullnetin për të treguar se çfarë ka ndodhur me to ose të denoncojnë dhunën kundër grave”.

Në rrugët e Parisit, francezët duket se janë të lumtur me frymën e re të pranimit të grave në jetën politike. Mes tyre është dhe tregtari 40 vjeçar Jean Michel Bambois. “Është mirë të mos ketë dallime mes grave e burrave. Ajo që vlen është aftësia e tyre”. /Telegrafi/