LAJMI I FUNDIT:

Hungaria mban zgjedhjet parlamentare

Hungaria mban zgjedhjet parlamentare

Në Hungari sot mbahen zgjedhjet parlamentare, në të cilat rreth 8 milionë votues të regjistruar do të zgjedhin anëtarët e rinj të Parlamentit i cili në total ka 199 vende.

Rezultatet e sondazheve të fundit të opinionit tregojnë se koalicioni aktual në pushtet Fidesz dhe Partia Popullore Demokratike pritet dalin fituese me një total prej 45 për qind të votave.


Partia më e madhe opozitare mund të bëhet partia nacionaliste Jobbik, e cila ka mbështetjen e rreth 20 për qind të elektoratit. Socialistët hungarezë pritet të fitojnë rreth 15 për qind të votave.

Gjatë fushatës parazgjedhore në Hungari, dominuan temat e emigrantëve dhe muslimanëve.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se “invazioni i emigrantëve dhe myslimanëve është i rrezikshëm për Evropën, identitetin dhe traditën e saj”, përcjell Telegrafi.

Duke i quajtur emigrantët ‘okupues të Evropës dhe kërcënim ndaj krishterimit’, Orban njoftoi se Hungaria nuk dëshiron të kujdeset për këta njerëz brenda kufijve të saj.

Në të gjithë vendin qendrat e votimit u hapën në ora 06:00 të mëngjesit dhe të njëjtat do të mbyllen në ora 19:00. Në zgjedhje garojnë 23 parti politike dhe kandidatë të pavarur.

Për të hyrë në Parlament, partitë politike duhet të fitojnë minimumin prej 5 për qind të votave ndërsa sipas sondazheve të fundit, pritet që pesë parti të kalojnë pragun. /Telegrafi/