LAJMI I FUNDIT:

Humbjet e ujit u faturohen qytetarëve

Humbjet e ujit u faturohen qytetarëve

Humbjet e ujit në rrjetin e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” janë rritur nga 53 për qind sa ishin në vitin 2016, në 57 për qind gjatë vitit 2017. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga raporti i Autoritetit Rregullator të Ujit, të cilën e ka pohuar edhe vetë kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Ilir Abdullahu. Ky i fundit madje ka deklaruar se këto humbje u faturohen qytetarëve.

Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, 57 për qind të ujit të prodhuar i humb në rrjet.


Faturimin e ujit të humbur te konsumatorët e ka pranuar vetë kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu, i cili megjithatë ka thënë se nuk është i kënaqur me këtë gjendje.

“Shpërndarja e këtyre humbjeve te konsumatori, 57 për qindëshi është diçka jo e mirë, që as ne si kompani nuk jemi të kënaqur, por kjo është rrit me kohëzgjatjen e furnizimit me ujë të pijes dhe mund të themi se 97,98 për qind e regjionit që e furnizojmë, konsumatorët kanë ujë 24 orë”, tha Abdullahu.

Rritja e sasisë së ujit të humbur në rrjet, sipas tij, është për shkak të rritjes së kohës së furnizimit me ujë.

Por, lidhur me faturimin e ujit të pashpenzuar te qytetarët si dhe rritjen e sasisë së ujit të humbur në rrjet, pati reagime të ashpra nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë një mbledhjeje të Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

“Tash nuk ka reduktime gjatë natës, por në momentin që nuk ka reduktime nuk ka as humbje as furnizim, pra, proporcionalisht ajo që po e thoni nuk ka logjikë, edhe mos bëni krahasime me qytete të tjera sepse janë dhjetëra miliona euro taksa të qytetarëve që shpenzohen këtu. Për të kthyer kreditë edhe për të paguar “FI” të ndryshme për kreditë e aprovuara na jepni përgjigje konkrete. Të lutem, si po faturohen këto humbje në faturat e qytetarëve që e paguajnë në fakt ujin?!”

Faturimin e ujit të pashpenzuar te qytetarët e ka kundërshtuar ashpër kryetari i Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku.

Këtë mënyrë të faturimit Kaçaniku e ka quajtur zhvatje të kompanisë ndaj qytetarëve. “Qytetari konsumator taksapagues është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili me këto veprime po neglizhohet dhe po detyrohet, mos të them po zhvatet që të paguajë edhe atë që nuk i takon”, tha Kaçaniku.

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” u ofron shërbime rreth 40 për qind të qytetarëve nga komunat si: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Shtimja, Lipjani, Podujeva, Drenasi dhe Graçanica. /RadioKosova/Telegrafi/