Moderatorja e njohur sportive, Laura Woods, përjetoi një moment shqetësues gjatë transmetimit live të ndeshjes miqësore të Anglisë kundër Ganës, të martën, më 2 dhjetor.

Ndërsa po prezantonte ndeshjen në panelin e ITV së bashku me Ian Wright dhe Anita Asante, 38-vjeçarja humbi ekuilibrin dhe u rrëzua papritur.


Pamjet treguan se ajo u përkul përpara, duke u mbështetur te kolegët që reaguan menjëherë për të mos e lënë të binte, por Woods ra në tokë para se kamera të ndërpritej.

Foto: YouTube

Transmetimi u ndërpre menjëherë dhe u kalua në pamje të gjerë të stadiumit, e më pas në një bllok reklamash.

Shikuesit, të habitur dhe të shqetësuar, mbushën rrjetet sociale me mesazhe mbështetjeje. Komentet varionin nga lutjet për gjendjen e saj deri te falënderimet për reagimin e shpejtë të Ian Wright dhe Anita Asante që e ndihmuan në moment.

Pas rikthimit nga reklamat, rolin e saj e mori Katie Shanahan, e cila po raportonte nga terreni.

Ajo informoi publikun se Woods ishte ndjerë keq papritur, por tashmë ishte nën kujdesin e stafit mjekësor.

- YouTube www.youtube.com

Ndërkohë, më vonë gjatë ndeshjes, i fejuari i Woods, Adam Collard, bëri një deklaratë në rrjetet sociale, duke i qetësuar fansat.

“Laura është mirë dhe me njerëzit e duhur. Faleminderit për të gjitha mesazhet e mira".

Woods është një nga figurat më të respektuara të gazetarisë sportive në Britani, me një karrierë të gjatë në Sky Sports, përpara se t’i bashkohej TNT Sports në vitin 2023. /Telegrafi/