Huliganizmi është bërë temë qendrore muajin e fundit në sportin kosovar. Gjithçka nisi seriozisht me ndeshjen e Superkupës së basketbollit ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës, ku u shkaktuan incidente në palestër ndërmjet dy tifozerive, për të vazhduar më pas me futbollin, ku pati ekscese me bollëk, por brenda më pak se një jave ndodhën dy incidente: fillimisht në Mitrovicë u qëllua me një kanaçe të mbushur trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, gjatë ndeshjes Trepça – Prishtina, ndërsa pas disa ditësh në stadiumin e Gjilanit u futën në fushë disa shikues, të cilët bënë që ndeshja Drita – Hajvalia (deri në ato momente 0-1), të ndërpritej.

Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Bekim Haxhiu – Kamishi, njëherësh deputet i Parlamentit të Kosovës, ka qenë gjithmonë i zëshëm rreth parandalimit të kësaj dukurie.


Ai thotë se ‘receta’ e vetme për ta ndalur huliganizmin është futja në funksion e ligjit kundër kësaj dukurie. Haxhiu mendon se vetëm dënimet e ashpra mund ta ndalin huliganizmin. Për ta evituar këtë, ai kërkon nga Ministria e Sportit që të veprojë sa më shpejt, sa nuk është bërë vonë.

“Hapi i parë në këtë drejtim është bërë me kodin penal, i cili e konsideron huliganizmin vepër penale. Hapi i dytë është bërë nga unë dhe deputetja Vjollca Haxhiu, kur e patëm organizuar Debatin për Sportin. Ligji ka dalë nga rekomandimet, por për fat të keq Ministria e Sportit ka ngecur dhe nuk i ka respektuar vendimet e Kuvendit”, deklaroi Haxhiu për Express.
“Kjo Ministri duhet që sa më shpejt ta bie projekt-ligjin në Kuvend, në mënyrë që ai të aprovohet. Pasi nuk ka padi ndaj këtyre huliganëve, po shkon duke u shfrenuar kjo dukuri. Shqiptarët nuk janë më pak të kulturuar sesa anglezët, e as më të flaktë se ta. Por, pasi nuk ka ligj në fuqi, veprojnë kështu. Pas aprovimit të ligjit kundër huliganizmit, rrethojat e stadiumeve do t’i shesim për hekur, pasi që nuk do të na nevojiten. Nuk besoj se një shqiptar, me mend në kokë, do të ketë nevojë të hyjë në fushë për qefin e tij, kur do ta dinte se do të dënohej nga 1 deri në 5 vjet burg”, vijoi Haxhiu.

Ai thekson se nëse Ministria e Sportit nuk e përshpejton procesin dhe vazhdon me këtë neglizhencë, ai dhe deputetët tjerë do të detyrohen ta hartojnë një ligj tjetër.

Gjithashtu, Haxhiu tha se për shtëpinë e futbollit kosovar, kjo dukuri është shqetësuese dhe se e dënon ashpër shfaqjen e huliganizmit.

Haxhiu ndër të tjera deklaroi se shqetësuese është edhe neglizhenca e policisë, intervenimi i së cilës nuk është në nivelin e duhur.

Edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu ndihet i shqetësuar për rishfaqjen e kësaj dukurie në sportin kosovar. Institucioni që e drejton ai i ka ashpërsuar dënimet ndaj huliganëve, me Propozicionin e ri të Garave.

Ai ka treguar për Express se në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Ministrinë e Sportin, janë duke u munduar të koordinohen dhe ta gjejnë rrugën e duhur për ta ndalur huliganizmin.

Sipas tij, dikush duhet të ngre akt padi ndaj huliganëve, pasi që nëse kjo nuk bëhet, nuk ka se çka të bëjë asnjëra Federatë.

FBK do ta dënojë edhe incidentin më të vogël, madje s’do t’i lejojë as fyerjet ndërmjet tifozëve, duke e zbrazur palestrën, nëse ndodh një gjë e tillë.

Edhe trajneri Afrim Tovërlani ka kërkuar që të intervenohet sa më shpejt, pasi ai mendon se nesër ose pasnesër mund të ketë edhe viktima. E për t’i shmangur këto të fundit, duhet të aprovohen ligjet dhe të dënohen keqbërësit. Ndryshe, huliganët s’ndalen. /Express/Telegrafi/ 

telegrafi sport app