LAJMI I FUNDIT:

Huliganët kundër salafistëve

Huliganët kundër salafistëve

Zemërimin e përgjithshëm për brutalitetin barbar të islamikëve në Siri apo Irak, huliganët po e përdorin për të nxitur racizmin

Ç’ide diabolike! Përfshirja e skenës së huliganëve gjermanë të futbollit nga partia Pro NRW. Kjo parti, me pikëpamje të djathta, një parti e vogël që është aktive vetëm në një zonë dhe që është jo më kot nën vëzhgim nga organet e mbrojtjes kushtetuese të landit NRW, po josh skenën tejet të dhunshme të huliganëve me një marifet primitiv. Ngrihuni në këmbë kundër salafistëve, bëhuni bllok kundër islamikëve! Kush nuk do të donte të merrte pjesë në një demonstratë të tillë? Por, jo me ta!


Huliganët kanë qenë aktivë deri tani nëpër stadiume, por edhe në internet. Por, kohët e fundit ata i sheh të grumbullohen qendrave të qyteteve edhe kur nuk ka ndeshje futbolli. Zemërimin e përgjithshëm për brutalitetin barbar të islamikëve në Siri, në Irak, por edhe në Nigeri, ata po e përdorin për t’u shitur dhe vepruar si njerëz të mirë në luftë kundër salafistëve dhe IS-it. Si të thuash krah për krah me partitë e djathta, që e njohin potencialin e dhunshëm dhe racizmin latent të kësaj skene.

Policët e specializuar për këtë grup e njohin mirë strukturën sociologjike të huliganëve. Nëse për rekrutimin e islamikëve në Gjermani vlen formula: të rinj, meshkuj, myslimanë, pa perspektivë, kjo vlen edhe për përcaktimin e skenës së huliganëve. Vetëm tipari “mysliman” nuk bën pjesë në të.

Për vite të tëra policia po vëren një fenomen të ri të frikshëm në skenën e huliganëve. Në të nuk ndesh më vetëm tipa me koka të rruara zero dhe të mbushur me tatuazhe, që kanë probleme me alkoolin dhe sjellin me vete agresion në stadiume, por gjithnjë dhe më shumë djem familjesh të ngritura qytetare, që jetojnë nëpër vila dhe janë të velur nga jeta. Ata janë persona të rritur pa dashuri dhe emocione, madje edhe me diploma, dhe u duket cool që të provokojnë në grup. Nga e hëna deri të premten, ata janë karrieristë që janë përshtatur me vendin e punës kurse të shtunave lëshohen nga frerët. Shkrirja e njerëzve që vijnë nga shtresa të arsimuara me yuppies e përkëdhelur është një koalicion i rrezikshëm. Kemi të bëjmë – parë nga pikëpamja sociale – me një grup të madh që bashkon disa shtresa. Në të lulëzon racizmi, i maskuar me kritikën ndaj salafistëve.

Ne duhet të jemi të kujdesshëm që kjo të mos kthehet në një shumicë në bankat e tifozëve nëpër stadiumet gjermane. Me ekipin kombëtar dhe klubet tona në Bundesligë ne kemi fituar një reputacion fantastik nëpër botë – edhe për shkak të atmosferës së mirë ngjitëse në tempujt e futbollit gjerman. Do të ishte vetëshkatërruese në qoftë se së shpejti do të na duhet që Frank Riberinë (e Bajernit të Mynihut), ta ruajmë me truproja: sepse ai para ndeshjes dhe në sytë e të gjithëve, lutet si mysliman i devotshëm.

Cilësia e re e racizmit në mjedisin e huliganëve është ndryshimi i vendit të ngjarjes. Ata po dalin nga stadiumet dhe po kërkojnë konfrontim me autoritetet në qendrat e qyteteve. Fillimisht në Dortmund, tani në Këln, po nesër ku?

E frikshme dhe në të njëjtën kohë demaskuese ishte shkalla e dhunës këtë të diel në Këln. Aty nuk kishte asnjë këmbë salafisti dhe të vetëshpallurit shpëtimtarë të Gjermanisë e shkarkuan agresionin e tyre ndaj policisë. Ata nuk janë në kërkim të kundërshtarëve të tyre politikë, ata kërkojnë vetëm dhunën. Dhe organet shtetërore nuk gëzojnë asnjë lloj respekti në sytë e huliganëve. Në këtë mes nuk ka asnjë shans për deeskalim, po vetëm për forcën e ligjit.

(Marrë nga: Deutsche Welle)

Në trend

Më shumë
Ylli i Real Madridit do të humbasë finalen e Ligës së Kampionëve dhe fillimin e Euro 2024 shkaku i lëndimit

Ylli i Real Madridit do të humbasë finalen e Ligës së Kampionëve dhe fillimin e Euro 2024 shkaku i lëndimit

Ndërkombëtare
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Shpërthim në akademinë ushtarake ruse në Shën Petersburg

Shpërthim në akademinë ushtarake ruse në Shën Petersburg

Evropa
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Shkencëtarët mund të kenë zgjidhur misterin që fshihet prapa ndërtimit të piramidave të Egjiptit

Shkencëtarët mund të kenë zgjidhur misterin që fshihet prapa ndërtimit të piramidave të Egjiptit

Botë
Kalo në kategori