LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj tregon pse PDK shkoi në balotazh në Drenas

Hoxhaj tregon pse PDK shkoi në balotazh në Drenas

Ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shpjeguar në Zona B në Klan Kosova, se cilat kanë qenë elementet, sipas tij, që PDK-ja këtë herë në Drenas nuk fitoi në raundin e parë, por i duhet të shkojë në balotazh me Nismën për Kosovën.

Hoxhaj tha se ky rezultat duhet të shihet vetëm si episod i izoluar dhe tregoi përse është kështu.


“Këto nuk kanë qenë zgjedhje të rregullta. Parametri i parë është karakteri i jashtëzakonshëm për shkak të dënimit të Nexhat Demakut. Së dyti nuk ka pasur atmosferë zgjedhore në Drenas. Elementi i tretë është se nga PDK ka qenë vetëm Ramiz Lladrovci, por ka pasur edhe të tjerë që kanë dalur nga shtabi i saj, qoftë, Elmi Thaçi, pastaj Bazaj dhe Xhavit Drenorit, si asamblist i PDK-së”, ka thënë Hoxhaj, njofton Klan Kosova.

“Po ashtu, në këto zgjedhje lokale preferenca shkon përtej partisë, duke u marrë parasysh vendlindja dhe lidhja e gjakut”.

“Por, në këto zgjedhje do të duhej të merrni pjesë diku 200 veta për asamble komunale dhe zakonisht këta janë ata që tërheqin votat dhe ato vota shpesh përkthen për kryetar komune”.

“Nëse kemi parasysh këto pesë-gjashtë parametra si analizë, del se vota e PDK-së është e njëjta, elektorati është i qëndrueshëm për PDK-në dhe vota e balotazhi janë një episod i izoluar”.

“Mendimi im është që votat për Lladrovcin nuk duhet të shihet si trend as lidhshmëri se ku e ka PDK-ja vendin në Drenas”, tha ai.

Hoxhaj thotë se me 18 dhjetor – kur mbahet votimi në balotazh – PDK-ja dhe kandidati i saj Ramiz Lladrovci do të fitojë lehtësisht zgjedhjet.

“Nuk ka qenë test për Kadri Veselin, as nuk kemi nervozë, natyrisht se ne do të fitojmë këto zgjedhjet. E kemi pranuar këtë rezultat në mënyrën më të relaksuar të mundur”, ka thënë Hoxhaj.

“Ne kemi dal shumë vonë me kandidatin tonë të PDK-së, për dallim nga strukturat e tjera partiake në Drenas, duke përfshirë këtu dhe kandidatin Bazaj. Fakti që ne jemi partia e parë dhe kemi një kandidat shumë serioz, tregon se 18 dhjetori do na kthejë aty ku kemi qenë”.

Hoxhaj shtuar po ashtu se “vota që e ka marrë kandidati i Nismës është votë që Nisma e ka marr në 2013”.

“Ajo është votë që Nisma ka qenë bashkë me AAK-në”.