LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj: Lamtumirë, Albert Rohan

Hoxhaj: Lamtumirë, Albert Rohan

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Dr. Enver Hoxhaj, në meshën shpirtërore të mbajtur me rastin e vdekjes së diplomatit austriak Albert Rohan, ka mbajtur një fjalim.

“Albert ishte model dhe mentor për mua. Ishte i veçantë. Si Ministër i Punëve të Jashtme kam pasur mundësinë të takoj shumë personalitete nga e gjithë bota, por asnjë si Albert Rohan. Ai ishte shumë krenar për Austrinë, dhe sipas mendimit tim, ishte vazhdimësia më e mirë e asaj se çka ka bërë Austria në Evropë dhe në botë”, ka thënë Hoxhaj.

Fjalimi i zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Dr. Enver Hoxhaj, me rastin e meshës shpirtërore të diplomatit austriak Albert Rohan:

Më lejoni qysh në fillim, në emër të vendit tim, Kosovës, t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta me rastin e vdekjes së Albert Rohanit. Edhe pse sot është një ditë zie, e ndiej veten shumë të nderuar që amaneti i Albertit para vdekjes ishte që unë të mbaj fjalimin mortor. Është detyrë shumë e vështirë të flasësh për një njeri që në Kosovë vlerësohet si arkitekti ndërkombëtar i shtetësisë sonë, i cili nderohet për të arriturat e tij për paqe në Ballkan si një Metternich, apo si një Holbrook europian.

Vdekja e Ambasadorit Rohan nuk e ka prekur vetëm Austrinë dhe miqtë e tij, por edhe mua dhe bashkëshorten time Remzien, e veçanërisht vendin tim, Kosovën. Unë kam pasur nderin që nga viti 2006 të bashkëpunoj me Albertin shumë afër, edhe pse miqësia ime me të daton që nga viti 1995.

Gjatë kohës së studimeve në Univeristetin e Vjenës, takova Albertin dhe desha ta informoj mbi gjendjen e atëhershme në ish-Jugosllavi dhe ta bindi që ajo që ka ndodhur në Bosnje nuk guxon të përsëritet në Kosovë. Gjatë takimit të dytë asokohe, më tregoi që emrin e tij Albert e ka nga një anëtar i tij i ngushtë i familjes, i cili në vitin 1913 si ambasador austriak në Konferencën e Ambasadorëve në Londër ka dhënë një kontribut të madh për njohjen ndërkombëtare të shtetit të Shqipërisë.

Ajo ishte asokohe vetëm një fakt historik, pa qenë të vetëdijshëm që më vonë gjatë viteve 2006-2007, ambasadori Rohan së bashku me mikun e tij finlandez Martti Ahtisaari gjatë pavarësimit të shtetit të Kosovës në një plan ndërkombëtar do të merrte rol qendror. Ajo që dua të them është që mozaiku i shtet-krijimit të Kosovës është i punuar nga pak emra ndërkombëtarë dhe në mesin e këtyre emrave Albert Rohan zë një vend të veçantë.

Për këtë arsye ndarja nga jeta e këtij personaliteti të paharruar ka shkaktuar pikëllim të madh. Kjo nuk ka ndodhur vetëm shkaku i rolit gjatë negociatave ndërkombëtare në Vjenë gjatë viteve 2006-07, por për mbështetjen e tij të fuqishme përgjatë katër dekadave për Kosovën. Unë nuk njoh diplomat tjetër evropian që është marrë me Evropën Juglindore për kohë aq të gjatë sikurse Albert Rohan.

Që nga koha kur kishte filluar me udhëheqjen e Drejtorisë për Evropën Lindore dhe Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë,  procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë për të ishte shqetësim i madh. Përpjekjet e tij diplomatike kishin qëllime të qarta – krijimi i paqes dhe demokracisë në Ballkan. Rohan përpiqej t’i ndihmonte të gjitha shtetet e rajonit dhe ta promovonte dhe ngriste Evropën në to.

Në fillim të vitit 1990, kur regjimi i Millosheviçit anuloi autonominë e Kosovës si dhe përfaqësueseve tanë politikë ua pamundësoi vizitat në Europë, Albert Rohan i propozoi Ministrit të Jashtëm Alois Mock që ta ftonte Ibrahim Rugovën në Vjenë. Ai ishte udhëtimi i parë i idesë që Kosova e ka të drejtën të jetë një shtet më vete, në drejtim të Evropës

Në vitin 1998 kur shpërtheu lufta në vendin tonë dhe Serbia bënte krime në Kosovë, Rohan apelonte me vendosmëri që spastrimi etnik nuk mund të jetë çështje e brendshme e një shteti.

Si diplomat i parë perëndimor ai vizitoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në zonat e luftës dhe foli me Kadri Veselin, kryetarin e tanishëm të Kuvendit, mbi gjendjen në Kosovë. Ai donte që kauza e Kosovës për liri të pranohej dhe të njihej ndërkombëtarisht. Gjithmonë më thoshte se donte që Kosovën ta bënte temë të njohur dhe të pranuar në qarqe të larta intelektuale dhe vendimmarrëse ndërkombëtare dhe kjo duhet të fillonte me njohjen e luftës për liri dhe idenë e pavarësisë së Kosovës. “Këtë po bëj në mënyrën time. This is my way”.

Për faktin që ishte një diplomat me ndjesi të madhe dhe një mendje strategjike e politikës austriake sa i përket Evropës Juglindore tregon edhe shefi i tij i atëhershëm, ministri i Punëve të Jashtme Wolfgang Schüssel. Në vitin 1998 e përshkruante Rohanin si një njohës të vërtet të çështjes i cili ka kontakte të dorës së parë me të gjitha palët në konflikt. Gjatë gjithë kohës lobonte për rëndësinë e të vepruarit shpejtë, për t’i parandaluar krimet që po kryheshin në Kosovë.

Diplomacia ishte fushë e veçantë e tij. Paul Lendvai shkruan me të drejtë në një kolumne, “Jam i bindur që Albert Rohan ishte diplomati më i rëndësishëm ndërkombëtar i Republikës së Dytë [austriake]”.

Se si ishte në të vërtetë Albert Rohan, më së miri e ka përshkruar nobelisti Martti Ahtisaari. Kur më 14 gusht 2005, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan e thërret Ahtisaarin dhe ia ofron pozitën e krye-negociatorit të OKB-së për statusin e ardhshëm të Kosovës, Ahtisari kishte thënë “unë e pranoj këtë detyrë vetëm me kushtin që ta kem Albert Rohanin si zëvendës”. Ajo që njihet për pavarësinë e Kosovës si Plani i Ahtisaarit, është shkruar dhe është zhvilluar konceptualisht nga Albert Rohan gjatë negociatave në Vjenë. Këtë e di nga përvoja ime e drejtpërdrejtë gjatë kohës kur unë kam marrë pjesë në negociata.

Një javë para hapjes së negociatave në janar të vitit 2006, më pranoi në shtëpinë e tij dhe më tha “Enver, gjatë negociatave nuk është gjithmonë me rëndësi vetëm kush ka të drejtë, por më e rëndësishme është ajo që është e mundur. Në negociata është shumë me rëndësi që ta arrijmë qëllimin madhor dhe të luajmë me letrat të cilat i kemi në dorë”.

Në biografinë e publikuar mbi Martti Ahtisaarin në vitin 2011, Ahtisaari kujton kohën e fillimit të negociatave dhe bisedën me Rohan – “Që nga fillimi unë e dija se rezultati final do të ishte pavarësia. Nuk kishte farë dyshime për këtë”.  Gjithmonë ishte siguruar nëse edhe Albert Rohani ndante të njëjtin mendim – “Padyshim, edhe ai më konfirmoi se zgjidhja finale duhet të dihet para se të nisin negociatat”, rrëfen Ahtisaari.

 Ja çfarë kujton Rohani po në këtë libër: “Gjatë bisedës së parë telefonike, Martti më pyeti nëse unë e doja pavarësinë për Kosovën. Unë i thashë po. Ai po testontenë mënyrë që ta dinte nëse ishim të dy në një të njëjtën linjë”.

Si një nga anëtarët e ekipit negociator të Kosovës mes viteve 2005-2007, unë e kujtoj me shumë nostalgji rolin e tij në pavarësinë e Kosovës.

Pasi Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, Albert më thirri dhe ma uroi dhe njëkohësisht më pyeti si në humor austriak se a e nënshkrova edhe unë aktin e shpalljes së pavarësisë. Përmes telefonatës donte t’ia uronte çdo qytetari në Kosovë pavarësinë e shtetit të tyre të ri.

Isha ministër i jashtëm i Kosovës për shtatë vite. Gjatë kësaj kohe kam vizituar shumë vende, dhe ai ishte gjithmonë aty për të më ndihmuar me këshilla dhe kontakte qoftë në Bruksel, qoftë në New York, apo edhe në gjeografi të tjera të ndryshme. Kjo vlen për shumë kolegë në Kosovë që ishin aktiv në politikë në 20 vitet e fundit apo kanë qenë pjesë e procesit të lirisë, negociatave në Vjenë apo shtet ndërtimit të Kosovës.

Albert ishte model dhe mentor për mua. Ishte i veçantë. Si Ministër i Punëve të Jashtme kam pasur mundësinë të takoj shumë personalitete nga e gjithë bota, por asnjë si Albert Rohan. Ai ishte shumë krenar për Austrinë, dhe sipas mendimit tim, ishte vazhdimësia më e mirë e asaj se çka ka bërë Austria në Evropë dhe në botë.

Ne po përshëndetemi prej Albert Rohan, i cili ishte një idealist dhe një realist për aq sa mund të arrijë njeriu në jetë dhe në politikë të jashtme. Përveç kësaj ishte edhe një njeri i madh. Alberti nuk i takonte kurrë botës të së djeshmes, por ishte njeriu i të së nesërmës.

Në një kohë kur stabiliteti, siguria dhe parashikueshmëria gjithandej vihen në pikëpyetje, botës i duhen më shumë diplomatë të profilit të tij.

Albert, faleminderit për të gjitha. Do të jetosh gjithmonë në zemrat tona. Paq një rrugëtim të mbarë në banesën tënde të përhershme. Ndonjëherë nuk e di se a është udhëtimi apo caku më i rëndësishëm. Sido që të jetë, ti ia mundësove një vendi për ta bërë udhëtimin dhe për të arritur në cak.

Faleminderit, miku im.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Siguri
Kalo në kategori