Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që t`ua lehtësojë veprimtarinë e tyre prodhuesve të vendit.

Këto komente, Hoti i bëri gjatë një takimi që pati sot me drejtuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

“Programi ynë qeverisës synon që në tryezat tona të ketë prodhime vendore, sipas standardeve të cilësisë evropiane. Qeveria do t’i mbështesë prodhuesit bujqësorë në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike”, theksoi kryeministri Hoti.

Po ashtu, kryeministri Hoti tha se Qeveria tashmë është duke e mbështetur ekonominë e vendit me Pakon Emergjente, si dhe është duke e konkretizuar Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Po ashtu, vijoi ai, Qeveria ka krijuar edhe Fondin e Rimëkëmbjes Ekonomike prej afro 385 milionë eurosh.

Ndërsa, drejtuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, duke e falënderuar kryeministrin Hoti për takimin, pohuan se misioni i këtij klubi është fuqizimi i prodhuesve të Kosovës, ndihma për nxitjen e bashkëpunimin në mes tyre dhe me palët e treta, ndërtimi i urave të bashkëpunimit me institucionet shtetërore, me qëllim të fuqizimin dhe të promovimit të prodhimeve vendore, duke e ngritur vetëdijen e qytetarëve për cilësinë e këtyre prodhimeve. /Telegrafi/