Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur kritika për emërimin e ambasadorit të Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, si kryenegociator në dialogun me Serbinë.

Sipas tij, në këtë formë ai nuk do të ketë mundësi që të raportojë në Kuvend dhe kështu transparenca në këtë proces do të jetë zero.


Ai në seancën e Kuvendit tha se “kurthimi që i ka ndodhur Qeverisë Kurti”, me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit po bën që të ketë hezitim për të raportuar për këtë proces.

Hoti kërkoi miratimin e një rezolute të re në Kuvend, ku nënvizohet nevoja për raportim në Kuvend për dialogun me Serbinë.

“Gjatë këtyre muajve dhe viteve të menaxhimit të këtij procesi, ajo çka kemi parë është kthim prapa në këtë proces. Ka pasur një dakordim që ky proces të orientohet drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke. Ai tash është kthyer prapa në dialog teknik... Kurthimi që i ka ndodhur kësaj qeverisjeje me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit e ka bërë atë që të hezitojë të raportojë në Kuvend për këtë proces. Ajo çka kemi parë së fundmi, emërimi i kryenegociatorit, ambasadorit në Bruksel si kryenegociator që nuk do të ketë mundësi të raportojë para këtij Kuvendi. Unë besoj se është e domosdoshme që ky Kuvend tani të nxjerr një rezolutë të re që adreson çështjen e transparencës në proces të dialogut dhe rikonfirmimin se ky proces duhet të zhvillohet për marrëveshje ndërkombëtare”, tha ai.

Hoti adresoi edhe kritika ndaj ekzekutivit, siç tha, edhe për abuzimin me buxhetin.