Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë sjellë një kosto të lartë financiare për vendin, duke arritur në 613.4 milionë euro gjatë periudhës qershor 2023 – prill 2025.

Kështu ka bërë të ditur ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka theksuar se kjo shumë përfshin projektet e pezulluara për një afat të pacaktuar si pjesë e sanksioneve të Brukselit.


“613.4 milionë euro është kostoja totale e masave të BE-së ndaj Kosovës për periudhën qershor 2023 – prill 2025. Këtu përfshihen projektet e pezulluara për afat të pacaktuar”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai ka shtuar se nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë fonde të humbura përfundimisht, të cilat ishin planifikuar për bujqësi, turizëm rural dhe ndërmarrje.

Sipas tij, sektorët më të prekur nga masat janë mjedisi me 351 milionë euro, energjia me 114 milionë euro, digjitalizimi me 57 milionë euro dhe kultura me 15 milionë euro.

Kosova u përball me masa ndëshkuese nga BE-ja në qershor të vitit 2023, pasi Brukseli vlerësoi se kryeministri Albin Kurti kishte nxitur tensione etnike në veri të vendit, zonë e banuar kryesisht me shumicë serbe.