LAJMI I FUNDIT:

Homologimi i veturave, kërkohet krijimi i një udhëzimi të ri administrativ për ndaljen e monopolit

Homologimi i veturave, kërkohet krijimi i një udhëzimi të ri administrativ për ndaljen e monopolit

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmin pikë të rendit të ditës “Heqja e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave”.

Lutfi Zharku në emër të grupit parlamentar të LDK-së, ka treguar tri kërkesat e opozitës për të demonopolizuar këtë treg.


Ai ka thënë se si pikë e parë duhet votuar shfuqizimi i menjëhershëm i udhëzimit që i pati dhënë monopolin në homologim kompanisë që e ushtron këtë veprimtari.

Për pikë të dytë ai ka propozuar që për dy muaj duhet të hyjë në fuqi udhëzimi i ri administrativ.

Ndërsa deri në fund të vitit ka thënë se duhet të liberalizohet plotësisht tregu i homologimit.

Në anën tjetër Memli Krasniqi nga PDK, tha fillimisht se është zhgënjyese që në këtë seancë nuk po marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë, shkruan Telegrafi.

Krasniqi shtoi se PDK është fuqishëm pro ekonomisë së tregut të lirë.

“Në këtë kuadër ne jemi në favor të konkurrencës së lirë, fer dhe lojale si dhe kundër monopoleve. Homologimi nuk është çështje e re por e vjetër, është diskutuar herë mas here…Asnjë veprim asnjëherë nga askush nuk është marrë, deri tash kur kemi insistim edhe nga partnerët ndërkombëtarë që me trajtuar këtë çështje”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se e dimë që ligji nuk është i mirë, dhe ka defekte tjera jo vetëm homologimin.

E shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se ministri Pal Lekaj nuk mund të fshihet duke thënë se kemi konsultuar çdo autoritet profesional dhe askush nuk na ka dërguar vërejte.

Konjufca ka thënë se ministri Lekaj nuk ka marrë parasysh vërejtjet e bëra nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.

“Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ka dërguar vërejte dhe asnjëra prej vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre nuk është marrë në konsideratë nga ministri Lekaj”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se udhëzimi administrativ i Pal Lekajt vazhdon monopolin në homologim, transmeton Telegrafi.

Ahmet Isufi nga AAK ka theksuar se kjo seancë ka një qëllim që të dilet në pah se çka është duke u bërë me homologimin e automjeteve.

“Pal Lekaj nuk është krijues i kësaj situate, krijues janë partitë që kanë qenë në pushtet që nga viti 2008. Në vitin 2009 ka filluar homologimi me të njëjtën kompani dhe të njëjtën mënyrë”, ka thënë Isufi.

Shqipe Pantina nga PSD ka thënë se një nga shkaktarët e aksidenteve me fatalitet është që se disa vetura nuk i përmbushin kushtet teknike.

Pantina ka thënë se duhet fokusuar për zgjidhjen e problemit për heqjen e monopolit nga homologimi jo të shikojmë se kush është fajtori PDK apo LDK që kanë udhëheq me Ministrinë e Infrastrukturës, apo AAK që udhëheq tani me këtë ministri.

Bilall Sherifi nga NISMA ka thënë se janë për konkurrencë të lirë në treg.

Ai ka thënë se duhet të kalohet ligji antimonopol në Kuvendin e Kosovës. “Duhet me një ligj të veçantë që të rregullojmë fushën e monopolit”, ka thënë Sherifi. /Telegrafi/