Holanda e vajtojnë ikjen e Huijsen te Spanja - zbulohen prapaskenat si ndryshoi mbrojtësi kombëtaren

Holanda po e përjeton si një humbje të madhe largimin e Dean Huijsen drejt kombëtares së Spanjës, një vendim që sipas NOS i ka kushtuar “Oranjes” një mbrojtës të së ardhmes me potencial të nivelit botëror.
Huijsen, i lindur në Amsterdam, u zhvendos në Marbella që në moshën pesëvjeçare dhe u formua futbollistikisht në Spanjë. Qendërmbrojtësi 20-vjeçar debutoi me kombëtaren e parë spanjolle në mars të vitit 2025, pikërisht kundër Holandës, në çerekfinalet e Ligës së Kombeve – një moment simbolik që vulosi përfundimisht ndarjen mes tij dhe vendlindjes.
Para këtij vendimi, Huijsen kishte qenë pjesë kyçe e zinxhirit të ekipeve të reja të Holandës, duke avancuar deri te U19, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit. Ai ishte protagonist në finalen e Kampionatit Evropian U17 në vitin 2022, ndërsa ish-trajneri Mischa Visser e kishte konsideruar një nga shtyllat e brezit të ri holandez.

Megjithatë, në fund të vitit 2023, balanca nisi të anonte drejt Spanjës. Një vizitë vendimtare në shtator të atij viti në Torino nga përfaqësuesi i Federatës Spanjolle, Francis Hernández, rezultoi kyçe në ndryshimin e kursit. Hernández i prezantoi Huijsenit dhe familjes së tij projektin afatgjatë të Spanjës dhe rolin që mbrojtësi mund të kishte në të ardhmen.
“Ne i shpjeguam atij dhe familjes së tij vizionin tonë, planet për zhvillimin e tij dhe atë që kombëtarja spanjolle mund t’i ofrojë,” deklaroi Hernández. “Ishte një takim i ngrohtë dhe shumë produktiv. Pas tij, ai ndjeu se donte të përfaqësonte Spanjën".
Pas marrjes së shtetësisë spanjolle në vitin 2024, Huijsen fillimisht iu bashkua ekipit U21, përpara se të ftohej në kombëtaren e parë. Debutimi i tij në Roterdam ishte mbresëlënës, pavarësisht fishkëllimave nga tifozët vendas, duke ndihmuar Spanjën të nxirrte një rezultat pozitiv.
Federata Holandeze (KNVB) e respektoi zgjedhjen e tij, me drejtorin sportiv Nigel de Jong që i uroi suksese. Megjithatë, Mischa Visser nuk e fshehu zhgënjimin, duke theksuar vitet e investimit të humbur nga Holanda.
Tashmë lojtar i Real Madridit, pas paraqitjeve të shkëlqyera me Bournemouthin, Huijsen shihet si një pasardhës i mundshëm i figurave legjendare si Sergio Ramos në mbrojtjen e Spanjës.
Vetë lojtari ishte i qartë për zgjedhjen e tij: “Ndjehem spanjoll. Spanja është shtëpia ime", tha mbrojtësi i Realit.
Rasti i Huijsen thekson gjithnjë e më shumë betejën e ashpër mes federatave për talentet me dy kombësi, një betejë që këtë herë e la Holandën me keqardhje, duke humbur atë që shihej si pasardhësi i Virgil van Dijk. /Telegrafi/



































