Internistja dhe endokrinologia Venera Berisha-Muharremi këtë javë në emisionin “Shnosh e Mirë” në RTV Dukagjini, ka folur për hipertensionin.

“Kur zemra si pompë e hedh gjakun në enët e gjakut, ai gjak bën presion në muret e brendshme të enëve të gjakut dhe ky e krijon presionin apo shtypjen e gjakut. Kjo shtypje është e domosdoshme që gjaku të qarkullon nëpër enët e gjakut dhe të shpërndahet në të gjitha pjesët e trupit”, tregon doktoreshë Venera, përcjell Telegrafi.

“Arteriet e shëndosha, janë enët e gjakut të cilat e bartin gjakun me oksigjen në të gjitha pjesët e trupit. Për të qëndruar ato të shëndosha nevojitet që shtypja e gjakut të mbahet në vlera të caktuara”, thotë më tej doktoresha.

Endokrinologia tregon se ka mjaft gjëra që mund të bëhen për të mbajtur shtypjen e gjakut në vlera normale.

Vlera e lartë që paraqitet në aparatin matës të shtypjes së gjakut, është shtypja sistolike e cila tregon shtypjen e gjakut kur zemra pompon gjakun.

Ndërsa vlera e dytë e cila është më e ulët tregon shtypjen që bën gjaku kur zemra është duke pushuar në mes dy rrahjeve.

“Vlerat normale janë deri në 120 me 80 mm të shtyllës së zhivës [njësia matëse e shtypjes së gjakut]. Hipertension kemi atëherë kur shtypja e gjakut kalon shifrat 140 me 90 të shtyllës së zhivës. Kur shtypja është ne mes të 120 dhe 140 themi se ai person është në fazën e pre-hipertensionit”, shpjegon Berisha-Muharremi.

Ajo tregon tutje se hipertensioni si edhe sëmundjet tjera kronike, nëse njëherë shfaqet nuk mund të mjekohet më, mirëpo mund të menaxhohet shumë mirë nëse ndryshojmë mënyrën e jetesës dhe mund të parandalohet shfaqja e tij.

“Në shumicën e rasteve hipertensionit nuk i dihen shkaqet e paraqitjes. Po ashtu hipertensioni mund të jetë edhe i fshehur pa ndonjë shenjë të paraqitjes. Për këtë arsye quhet edhe si “vrasës i heshtur””, thotë internistja, duke shtuar se mungesa e aktivitetit fizik, dieta jo e shëndetshme, pirja e duhanit, konsumimi i tepërt i alkoolit, obeziteti dhe stresi janë ndër faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundje.

“Ka shumë dieta të suksesshme për menaxhimin e hipertensionit por më e rëndësishmja është kufizimi i konsumimit të kripës. Duhet që ajo të jetë nën 1.7 gram në ditë. Të zgjedhën yndryrërat e shëndetshme në ushqim, të merret sasi e mjaftueshme e perimeve, të kufizohen karbohidratet dhe të merren përmes pemëve”, tregon më tej doktoreshë Venera.

Berisha-Muharremi thotë se aktiviteti fizik duhet të bëhet tre deri në katër herë në javë në një periudhë prej 40 minutash dhe të jetë i intensitetit të moderuar për të parandaluar shfaqjen e hipertensionit.

Doktoresha këshillon për fund që të gjithë personave që tashmë iu është shfaqur hipertensioni, rekomandohet t’i marrin barërat ashtu siç u ka rekomanduar mjeku pasi “kjo nuk është një sëmundje që kurohet e më pas ndërpritet terapia”./Telegrafi/