Në takimin ku merrnin banorët e zonës, kryetarët e komunave aktuale, kryetarët e fshatrave të Bregut dhe të zonës së Lumit të Vlorës, përfaqësues nga grupet e interesit, përfaqësuesit e UNDP-së, ambasadave suedeze e zvicerane, por edhe deputeti i Vlorës, Koço Kokëdhima është diskutuar mbi mundësitë më të mira për zhvillimin e zonës.

Shumica e banorëve të pranishëm në takim janë shprehur pro bashkimit të Himarës me Vranishtin dhe Lukovën si mundësi për krijimin e një zone tërësisht funksionale, edhe pse nuk munguan dhe debatet për bashkimin me Vranishtin. Por ministri Çuçi ka theksuar se bashkimi është pozitiv për të rritur ekonominë. Ministri theksoi se njësitë vendore të Himarës, Vranishtit dhe Lukovës përbëjnë një zonë funksionale më vete që do t’i sigurojnë banorëve të kësaj zone më shumë të ardhura.


“Me bashkimin e këtyre njësive parashikohet një rritje e buxhetit të investimeve me rreth 40 milionë lekë në vit. Komuna e Vranishtit do të jetë një vlerë e shtuar për ekonominë e Himarës dhe Lukovës pasi zotëron potencial agro-bujqësor dhe agroturizmi gjatë gjithë vitit, me pyjet dhe kullotat më të mëdha të kësaj zone”,është shprehur ministri Çuçi në takim.

Ndërsa i kontaktuar nga “Shekulli” ministri theksoi se shumica e himarjotëve janë shprehur pro variantit të përzgjedhur.

“Përgjithësisht të gjithë ishin dakord me ndarjen e propozuar për këtë zonë. Një pjesë e vogël ishin ata që nuk donin bashkimin dhe me Vranishtin. Shumica pranonte dhe bashkimin me Vranishtin, duke e argumentuar pikërisht me krijimin e një njësie që do ketë një potencial shumë më të madh për t’u zhvilluar dhe madje ata që kundërshtonin nuk kishin as argument konkret në kundërshtitë e tyre”, pohoi ministri duke e cilësuar takimin në tërësi si pozitiv.

Çuçi shtoi se janë të mirëpritur dhe zërat kundër, sepse rritin përgjegjshmërinë për punë më të mirë. “Ishte me një klimë diskutimi sigurisht, kjo është normale, ka ndodhur dhe herë të tjera. Zëra kundër ka gjithmonë, ne nuk tentojmë të jemi si në kohën e Enverit madje mirë që ka zëra kundër se rritin më shumë përgjegjshmëritë, dhe të administratorëve të ardhshëm”, tha ministri.

I pyetur nga “Shekulli” për letrën e kreut të OMONIA-s, Vasil Bollano drejtuar kryeministrit grek Antonios Samaras, Çuçi tha se “Është totalisht absurde sepse ne jemi shtet sovran. Ne nuk po bëjmë asgjë kundër konventave, madje konventa nuk flet fare për ndarje administrative. Përkundrazi, konventat dhe trendi modern i trajtimit të minoriteteve shkon drejt shuarjes së konceptit të minoritetit, shkon drejt integrimit të shoqërisë së tërë për t’u prosperuar e zhvilluar. Ato janë si letra dashurie, nuk kanë asnjë vlerë”.
Ministri për Çështjet Vendore nuk sheh rrezik as në votën e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Sipas tij çdokush ka të drejtën e votës, por variantet e zgjedhura janë një synim për t’i shërbyer më mirë Shqipërisë dhe çdo komuniteti.

Takimi i djeshëm në Himarë është pjesë e rreth 50 takimeve konsultuese për ndarjen e re territoriale, që janë planifikuar të zhvillohen gjatë muajve qershor dhe korrik në rrethet kryesore të vendit. Deri më tani qindra përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë dhe qytetarë kanë diskutuar dhe kanë dhënë mendimin e tyre për riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore dhe projekt-hartat e propozuara. /Shekulli/