Kompani më e madhe kosovare e derivateve “HIB Petrol” në kuadër të aktiviteteve të shumta që i organizon gjatë vitit, sot ka zgjedhur që t’i gëzojë fëmijët e kopshtit “Engjujt” në Ferizaj.

Të vegjlit e këtij institucioni parashkollor u përzgjodhën nga kjo kompani për të kaluar disa momente rekreative në qendrën Milenium Resort që gjendet në Ferizaj.

Gëzimi dhe buzëqeshja vërehej tek fëmijët të cilët mezi prisnin të luanin e ta shijonin çdo moment.

Një aktivitet të tillë e ka mirëpritur edhe drejtoresha e kopshtit publiko-privat, Fatime Reçica e cila për KosovaPress tha se nxënësit e tri klasave të këtij kopshti janë përzgjedhur nga vetë mësueset për t’i sjell në këtë qendër të lodrave për fëmijë.

“Sot HIB Petrol ka marr një iniciativë me i sjell fëmijët e kopshtit këtu, diku tri klasë janë që kanë ardhur, realisht në kopshtit tonë janë 230 fëmijë gjithsej nëntë klasë, por është e pamundur ndoshta me i sjell të gjithë këtu….Jemi mundua me i përfshirë moshat më të mëdha 3-4,4-5,5-6”, u shpreh ajo.

Reçica po ashtu tha se krahas aktiviteteve të shumta që bëjnë brenda hapësirave të kopshtit, aktivitetet si kjo e sotmja e organizuar nga Hib Petrol janë tejet të nevojshme dhe atraktive për fëmijët.

“Duke pasur parasysh që fëmijët janë kopsht që prej orës 08:00 të mëngjesit deri në orën 4, normalisht që është i nevojshëm një aktivitet, megjithëse ne e kemi edhe kopshtin me oborr shumë të madh e shfrytëzojmë edhe oborrin, mirëpo çdo herë aktivitetet jashtë kopshtit janë më të veçanta”, ka thënë Reçica.

Ndryshe, të shtunën që shkoi kompania e derivateve ” Hib Petrol” në ambientet e saj në Prishtinë ka organizuar një event po ashtu për t’i argëtuar fëmijët në ditën e fëmijëve me 1 qershor, ndërsa kompania po ashtu ka organizuar një garë për vizatimet më të mira të fëmijëve me temën “Bota e Fëmijëve”. Për fituesit e garës me vizatime, HIB do të japë disa dhurata.