LAJMI I FUNDIT:

Hetemi apo sistemi?

Hetemi apo sistemi?

Hetemin po e njihni! Mbetet të flasim pak edhe për sistemin, për ta kuptuar se “kush” është kush në këtë kolumne. E kam fjalën për sistemin shëndetësorë, pikërisht atë për të cilin po ankohemi të gjithë. Nuk është si në Evropë!

Hetemi po e sfidon sistemin. Nuk po e sfidon vetëm sistemin tonë, por edhe atë evropian dhe global. Pak a shumë i bie se para syve tanë, pikërisht nëpër emisionet më të shikuara të humorit ndër ne, ato me “O2” e me “Xing”, po shpalosen banderolat e një revolucioni kulturor të përmasave globale. Si zakonisht, ne jemi publik “sui generis”! Tash e tutje, çdo revolucion fillon në Kosovë, ashtu si filloi edhe rebelimi ynë global që u mbyll me bombardimet e NATO-s. Ishin bombardimet e para të NATO-s në një shtet sovran.


Pas kësaj, bombardimet me motive humanitare u bënë udhë. Falë Zotit, bombardimet ndodhën dhe ato na e sollën lirinë, edhe pse disa dashakeqë po thonë se ato e sollën edhe tumorin i cili nga paslufta mund të ketë vrarë më shumë njerëz se vetë lufta. Sidoqoftë, industria shëndetësore, me theks të veçantë ajo farmaceutike, pas lufte ka lulëzuar ndër ne si asnjëherë më parë. Lulëzoi edhe kimioterapia, armiku më i madh i Hetemit. Askënd nuk e shanë më shumë Hetemi se kimioterapinë e cila, siç thotë ai, po i vret njerëzit më shumë se tumori. Mjekët, thotë ai, vazhdojnë të vrasin pacientët. Nuk e dinë çfarë bëjnë, mjekët! Hetemi thotë se industria farmaceutike është biznesi më i madh pas naftës, në përmasa globale. Ajo nuk i prodhon veç ilaçet, por i prodhon edhe sëmundjet. I krijon ato nga hiçi! I sëmurë pastaj i vret me ilaçe!

Pra, kush është Hetemi dhe “kush” sistemi në këtë kolumne, po pyesni ju! Hetemin pra e njihni të gjithë! Nuk ka anembanë trojeve etnike televizion të rëndësishëm, as emision të shikuar nga ata të humorit apo ata që janë më serioz se kimioterapia, ku ai nuk ishte kohëve të fundit. Atje shkoi, apo më saktë, përmes tyre erdhi deri te ne, me mision, për të përhapur zjarrin e revolucionit të tij shkencor dhe shëndetësor, e mund të thuhet edhe kulturor, sepse ushqimi është kulturë. Ndërkaq shëndeti, si thotë ai, është në zorrë, pra është ushqim. Ne jemi ajo çka hamë, thotë Hetemi, dhe jo vetëm Hetemi!

Ndërkaq, këto ditë sistemi kryesisht heshti, derisa Hetemi po e kritikonte rëndë dhe po i shpaloste, (jo) pa modesti idetë e tij të cilat gjithqysh do të i ndryshojnë shqiptarët. E duke marrë parasysh prirjen shqiptare për t’u bërë lajm global, kjo mund të nxisë edhe reforma globale, e rrjedhimisht të shpëtojë njerëzimin nga vrasësit modern, të veshur në mantele të bardha.

Sistemi ka dështuar, thotë Hetemi! Vendin e sistemit do ta zë Hetemi, sepse ai ka përgjigje për problemet shëndetësore të qytetarëve, sidomos për telashet e tyre të ëmbla me sheqer, të cilën ai me të drejtë e konsideron sëmundje mbi sëmundjet, pak a shumë si nënën e të gjitha sëmundjeve. E kush nuk e do të ëmblën, o Hetem, në cilëndo formë që të paraqitet ajo?

E dini atë rrëfimin për një të marrë, i cili e kishte bërë zakon të hante sheqer kudo që gjente? Kur ankoheshin të tjerët, gjithnjë dikush e mbronte atë duke u thënë: ”Mos e ngisni, se është i marrë”! “Nëse është i marrë, përse nuk ha krip”, komentonin me thumb njerëzit. Por, Hetemi thotë se sheqeri është pak a shumë një armik, edhe pse ai nuk e parapëlqen luftën e klasave në mes të ëmblës dhe shijeve të tjera.

Sistemi shëndetësor, gjithnjë sipas Hetemit, ka edhe njësitë e veta speciale që janë mjekët dhe farmacistët. Ai konsideron se mjekët dhe farmacistët pak a shumë janë vrasës serikë, që vrasin më së shumti njerëz në kohën tonë, madje më shumë edhe se luftërat. Nuk po flasim vetëm për sistemin tonë të shëndetësisë, sepse aspak nuk është e nevojshme të jesh Hetem për të kuptuar se ka dështuar ky sistem. Mjafton të jesh pacient. Mund të jesh edhe i shëndoshë si molla dhe ta kuptosh se sistemi të sëmurë sapo paraqitesh në sportel ku të presin tre-katër veta të cilët të marrin shënimet duke shkruar me laps, të kontrollojnë dokumentet dhe s’të lënë as të vdesësh derisa s’i jep edhe të dhënat e fundit.

Derisa në sportele nuk mund të lëvizësh nga personeli i tepërt që merret me thashetheme dhe u nxin jetën pacientëve, nëpër spitale nuk lëvizë dot nga familjarët të cilët me ndërrime, kujdesen për të afërmit e sëmurë, dhe i ndërrojnë, i pastrojnë dhe ua sjellin barërat nga sistemi barnatoreve përreth spitalit, përfshirë edhe barërat esenciale.

Ky është sistemi ynë shëndetësor aktualisht, pak a shumë një mekanizëm torture për qytetarët të cilët kryesisht e përballojnë me stoicizëm sëmundjen deri në topitje të plotë dhe derisa të pranohen në trajtim të përhershëm nga armata e mjekëve dhe farmacistëve. Spitalet publike janë pra ai vendi ku qytetarët shkojnë për të krijuar varësi nga barërat dhe për t’u bërë qiraxhinj të përhershëm të sistemit shëndetësorë të cilit, pastaj, çdo muaj i paguajnë haraç dhe ankohen.

Pra, blejnë barëra pa hesap. Vetëm nga një bar kundër kolesterolit, si thotë Hetemi, industria farmaceutike globale fiton rreth 60 bilionë, ndërkohë që kolesteroli është miku më i mirë i njeriut, sipas tij!

“Nëse gabimet mjekësore do të trajtoheshin si një sëmundje, ajo do të ishte vrasësi tretë më i madh në Shtetet e Bashkuara”, shkruan Marty Makary, autori i studimit nga më të fundit mbi vdekjet e shkaktuara nga gabimet mjekësore. Askush nuk e di se sa njerëz në fakt vdesin për shkak të gabimeve të mantelbardhëve. Dihet se në disa raste, kur mjekët ishin në grevë, gjatë asaj kohe kishte rënë numri i vdekjeve në këto qytete. Bëhet fjalë për të dhëna zyrtare nga qytetet Tel Aviv dhe Mexico City! Natyrisht, kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Mediat kryesore janë me industrinë.

Por, Hetemi nuk flet për këtë lloj të vrasjes së pacientëve nga mjekët. Hetemin e duan mediat tona. Ai flet për vrasjet e qëllimshme, vrasjet për përfitime nga ana e industrisë shëndetësore farmaceutike, klinikave…! Ai është i bindur se koncepti i shëndetësisë oficiele është krejtësisht i gabuar dhe vrastar. Ai është i bindur se insulina vret. Ai është i bindur se kolesteroli nuk është armik i njeriut. Ai mendon se këto që kanë marrë emra sëmundjesh, nuk janë sëmundje, por janë gjendje që mund të tejkalohen me meditim dhe me ushqim, dhe se njeriu mundet dhe duhet të jetojë deri në 250 vjet. Pse, jo?! Kush nuk do të dëshironte. Aq më tepër kur nëpër media defilojnë edhe pacientët e shëruar pasi janë shkëputur nga barnat dhe nga trajtimi i sistemit.

Sistemi i cili shëron me ilaçe, vret, thotë Hetemi! “Nëse i japim qelizës çka i duhet, s’ka nevojë për ilaçe”. Kjo tingëllon si formulë shpëtimtare, e Hetemin e bënë të duket si shpëtimtar!

Me të vërtetë, ashtu po duket kur kemi parasysh se si duket dhe si funksionon sistemi ynë shëndetësorë! Me të vërtetë, po ju them!

Në trend

Më shumë
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Osmani ia tha të gjitha në sy Vuçiqit, por një detaj me domethënie i presidentes mori të gjithë vëmendjen

Osmani ia tha të gjitha në sy Vuçiqit, por një detaj me domethënie i presidentes mori të gjithë vëmendjen

Magazina
Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Lajme
“Çka më kanë parë sytë” - Pas largimit nga Big Brother VIP Albania, Jetmir Salaj kërcënon produksionin se do të zbulojë sekrete?

“Çka më kanë parë sytë” - Pas largimit nga Big Brother VIP Albania, Jetmir Salaj kërcënon produksionin se do të zbulojë sekrete?

Magazina
Këshilli i Etikës rekomandon pezullimin e punës së Xhevat Krasniqit nën dyshimin për ngacmim seksual

Këshilli i Etikës rekomandon pezullimin e punës së Xhevat Krasniqit nën dyshimin për ngacmim seksual

Lajme
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

La Liga
Kalo në kategori