LAJMI I FUNDIT:

Heshtje zgjedhore për presidencialet, vazhdon fushata për zgjedhjet kuvendare në Maqedoni

Heshtje zgjedhore për presidencialet, vazhdon fushata për zgjedhjet kuvendare në Maqedoni

Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.

Telegrafi Maqedoni iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.


Koalicioni “Për ardhmëri evropiane” i udhëhequr nga LSDM, sonte ka mbajtur tubim në Sopishte. Prej atje Dimitar Kovaçevski tha se mënyra e vetme për të ndërtuar të ardhmen evropiane është anëtarësimi në BE.

“Kjo e ardhme duhet të sigurohet nga një jetë më e mirë për të gjithë. Ajo e ardhme duhet të na ndihmojë t’i mbajmë fëmijët tanë këtu në Maqedoni. Le të jenë të lumtur dhe të kënaqur në vendlindjen e tyre. Prandaj, ne nuk heqim dorë nga standardi evropian, nga vlerat evropiane, nga sistemi evropian. Maqedonia jonë meriton të jetë pjesë e familjes evropiane. Brezi ynë meriton të jetë pjesë e Evropës, por mbi të gjitha fëmijët tanë meritojnë një të ardhme evropiane”, tha Kovaçevski.

Koalicioni i udhëhequr nga OBRM-PDUKM ka mbajtur tubim në Vallandovë. Prej atje Hristijan Mickoski tha se në këto zgjedhje qytetarët do të zgjedhin në mes dy opsioneve – qeverisë së tanishme dhe OBRM-PDUKM-së.

“Përkundër të gjitha dallimeve që kemi pasur me kryesinë e atëhershme të LSDM-së, sa herë që ka qenë interes shtetëror dhe kombëtar i Maqedonisë, jemi bashkuar dhe kemi qëndruar pranë njëri-tjetrit. Sot, për fat të keq, kjo parti nuk është shndërruar në asgjë më shumë se një pleh të një pjese të kryesisë së BDI-së”, tha Mickoski.

Koalicionet “Fronti Europian” dhe “VLEN” gjatë ditës së sotme nuk kanë pasur aktivitete në kuadër të fushatës për zgjedhjet kuvendare./Telegrafi/