Aktorja britanike, Helen Flanagan, ka treguar një përvojë tronditëse që përjetoi gjatë një udhëtimi në metronë e Londrës, ku u përball me një burrë agresiv që e ofendoi hapur për pamjen e saj.

Ish-ylli i “Coronation Street”, 34 vjeç, ndau ngjarjen me ndjekësit e saj në Instagram, duke thënë se burri u bë agresiv pasi ajo mbrojti një grua tjetër nga veprimet e tij të papërshtatshme.


Sipas Helenit, gjithçka nisi kur ajo pa burrin duke fotografuar fshehurazi një pasagjere tjetër, shkrun DailyMail.

Ndërkohë që një grua tjetër guxoi t'i kërkonte llogari, burri filloi të bërtiste dhe të përdorte fjalë të ndyra. Helen ndërhyri për ta mbrojtur, por u përball me një reagim edhe më të ashpër.

“Ai më tha: ‘Ke kaq shumë Botox në ballë, çuditem që mund të pish me pipëz’, ishte shumë poshtëruese”, tha Helen, duke pranuar se u ndje e frikësuar dhe e pafuqishme në atë moment.

Kjo nuk është hera e parë që ajo ndan përvoja të pakëndshme në transport publik. Ajo kujtoi një rast tjetër kur mendoi se një burrë po e filmonte fshehurazi ndërsa ushqente me gji djalin e saj të vogël në tren.

Ngjarja vjen në një moment të vështirë për Flanagan, e cila po përballet me sfida në jetën personale, përfshirë ndalimin e përkohshëm të drejtimit të makinës dhe bashkëjetesën me ish-partnerin për hir të fëmijëve.

Pavarësisht gjithçkaje, ajo mbetet e përkushtuar ndaj mirëqenies së familjes dhe mbështetjes për gratë në situata të vështira. /Telegrafi/