Hatmane Sada kërkon ekzekutim urgjent të subvencioneve për vreshtarët dhe fermerët

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hatmane Sada, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke kërkuar që subvencionet e mbetura për vreshtarët dhe fermerët të ekzekutohen urgjentisht.
Ajo ka theksuar se shumë fermerë dhe vreshtarë nuk kanë marrë ende mjetet financiare që u takojnë sipas vendimeve të Qeverisë.
“Kam marrë dhjetëra mesazhe nga shumë vreshtarë e fermerë se një pjesë e konsiderueshme e tyre ende nuk kanë pranuar mjetet financiare nga subvencionet që u takojnë prej Qeverisë. Kjo kategori, aq e ndjeshme, është futur në borxhe dhe tashmë po kulmon presioni ndaj tyre prej kompanive të ndryshme ku ata janë furnizuar për preparatet me të cilat punojnë tokat e tyre”, ka shkruar Sada.
Ajo ka kritikuar qeverinë për mosveprim dhe ka kujtuar se subvencionet nuk janë lëmoshë, por e drejta minimale e vreshtarëve.
“Kjo qeveri ka harruar një gjë: Subvencionet nuk janë lëmoshë, ato janë më e pakta që u takojnë vreshtarëve. Andaj, kërkoj që urgjentisht, vreshtarëve dhe fermerëve të mbetur t'u ekzekutohen subvencionet që u takojnë”, ka shtuar Sada.
Kandidatja për deputete ka përfunduar me një apel të drejtpërdrejtë ndaj autoriteteve: “Nuk ka më arsyetime. Kryeni punët bazike edhe ato pak ditë sa ju kanë mbetur si uzurpatorë të institucioneve të Republikës së Kosovës”. /Telegrafi/









































