LAJMI I FUNDIT:

Hashani: Pa fuqizimin e gruas si ndërmarrëse, nuk ka rritje ekonomike

Hashani: Pa fuqizimin e gruas si ndërmarrëse, nuk ka rritje ekonomike

Gratë në ekonominë e Kosovës përfaqësojnë vetëm 10 për qind të pronarëve të bizneseve, kryesisht të bizneseve mikro dhe të vogla, ndërsa pa fuqizimin e tyre si punëdhënëse apo ndërmarrëse nuk mund të gjenerohet rritje ekonomike.

Kështu deklaroi drejtori i institutit Riinvest, Alban Hashani me rastin e publikimit të hulumtimit “Ndërmarrësia e Grave”, ku tha se fuqizimi i grave është i një rëndësie strategjike, pasi që pa fuqizimin e gruas nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.


Dita Dobranja nga Riinvest tha se të dhënat janë mbledhur përmes anketës që ka përfshirë gra ndërmarrëse në gjithë Kosovën, përkatësisht 313 gra sipërmarrëse.

“Edhe pse qarkullimi i tyre mbetet i ulët, rreth 10 për qind të bizneseve të intervistuara kanë depërtuar me sukses në tregun e jashtëm dhe në mesin e tyre, eksportet përfaqësojnë mesatarisht 30 për qind të shitjeve të tjera”, theksoi ajo. Sipas saj, dispozitat e ligjit të punës, përkatësisht pushimi i lehonisë është brengosës pasi që 64 për qind e pronareve të bizneseve besojnë se punëtoret e punësuara nga konkurrenca e tyre nuk marrin pushim të lehonisë që u takon me ligj”.

Lendita Kastrati nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, tha se vetëm 10 për qind e bizneseve të regjistruara të grave janë aktive.

Sipas saj, përkundër sfidave në të bërit biznes, gratë i kanë disa sfida më specifike siç është kosto e financimit.

“Mirëpo mund të them një gjë pozitive, se asnjëherë më parë nuk është folur për gruan në biznes. Viteve të fundit kjo çështje është ngritur mjaft. Ndërsa fakti se 80 për qind e grave janë të papuna në Kosovë, ka ndikuar që gratë të ndërmarrin hapa për të krijuar biznese”, tha ajo. /KP/Telegrafi/